Pas dy muajve pushim, gara më e popullarizuar për klube në futboll, “Champions League”, rikthehet sonte me dy ndeshje interesante, në kuadër të rrethit të 16 më të mirëve.
Barcelona – Paris Saint Germain dhe RB Leipzig – Liverpool, janë takimet hapëse të fazës eliminuese për këtë sezon, njofton KlanKosova.tv.
Barca dhe Paris do të takohen për herë të 11 me njëra-tjetrën në kuadër të kësaj gare.
Spanjollët kanë katër fitore, francezët tre sish, ndërsa tre herë janë ndarë në paqe me barazim.
Interesant pritet të jetë edhe ballafaqimi tjetër, në mes të Leipzig dhe Liverpool.
Për shkak të pandemisë, Gjermania ka ndaluar udhëtimet nga Britania dhe për këtë arsye ndeshja do të zhvillohet në stadium neutral, në Budapest të Hungarisë.
Derisa gjermanët janë në formë të shkëlqyeshme në “Bundesliga” me tre fitore radhazi, ndryshe kampioni aktual anglez ka tre humbje me radhë.
Leipzig ka rekord pozitiv të ndeshjeve kundër klubeve angleze në “Champions League”, pasi nga 4 ballafaqime kanë arritur tre fitore dhe një barazim.
Në anën tjetër, Liverpool në 10 ndeshjet e fundit kundër klubeve gjermane kanë shtatë fitore dhe tre barazime, ndërsa humbja e fundit është nga Bayer Leverkusen në vitin 2002.
Ndeshjet fillojnë nga ora 21:00 dhe mund të përcillen në platformën “Artmotion”.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.