Lajmet e fundit
Reportazh për Yllka Berishën, vajzën e verbër që asnjëherë s’i ndjeu kufizimet e të qenit e tillë.

Yllka Berisha nga Prizreni është një vajzë e verbër, por që mungesa e dritës asnjëherë nuk e ka ndalur në realizimin e ëndrrave dhe qëllimeve jetësore të saj.
“Të humbasësh shikimin, nuk do të thotë të humbasësh vizionin”, është njëra nga frazat plotë vetëbesim ndër shumë të tjera që Yllka i thotë në një reportazh të realizuar enkas për të.
Në një tregim në vetën e parë Yllka flet për fëmijërinë e saj, adoleshencën dhe jetën si e verbër. Ajo tregon për sfidat të imponuar nga pamundësia për të parë, por edhe tejkalimin e këtyre momenteve me fuqinë që të afërmit e saj thonë se e karakterizon.
Nëna e Yllkës, Diharja, tregon se terri i syve asnjëherë nuk ia terroi Yllkës dëshirën për të arritur sukseset që i synonte.
Madje Yllka duke dashur të ndjekë hapat e babit, i cili ishte mjek, vendosi që të përfundoi shkollën e mesme të Teknik-fizioterapeut.
Dokumentari për historinë e dhimbshme, por të mbushur plotë krenari të një vajze që kufijtë nuk ia përcakton as qielli, sepse, siç thotë vet ajo, dëshirë të madhe e ka që të bëhet astronaute, është shpaloja e një historia për suksesin e jetës dhe triumfin e dëshirës.
Ky dokumentar është realizuar me iniciativën dhe përkrahjen e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kurse është realizuar nga Rexhep Ibrahimi.
Organizatore është Romina Hyseni dhe videoja është punuar nga Studio Vali.
Dokumentari i shkurtër është shfaqur në programin e mëngjesit në TV Klan Kosova.