Prokuroria Speciale përmes një komunikate ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për rastin e njohur “Reflektori”.
Ata janë të akuzuar për blerje dhe shpërndarje të substancave narkotike, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, njofton Klankosova.tv.
“Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special, kundër gjashtë (6) të pandehurve me inicialet L.T, O.V, I.M, M.H, SH.D dhe F.K. për rastin e njohur “Reflektori”.
“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit L.T, O.V dhe I.M së bashku me të pandehurin M.I. i cili gjendet në arrati, duke vepruar në grup kanë kryer veprën penale “Blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’ nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së”.
Të pandehurit M.H, SH.D dhe F.K akuzohen se kanë kryer veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.9 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. Ndërkaq, të pandehurit L.T dhe O.V akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet tutje në komunikatë.
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.