Rastet e diabetit të tipit 2 tek fëmijët janë dyfishuar gjatë pandemisë së koronavirusit në një spital në Luiziana, sipas një hulumtimi të realizuar së fundmi.
Mjeku Daniel Hsia, profesor i asociuar në Qendrën Kërkimore Biomjekësore Pennington në Baton Rouge, Luiziana së bashku me kolegët e tij vëzhguan shkallën e shtrimit në spital për diabetin e tipit 2 tek fëmijët në Spitalin e Fëmijëve “Zoja e Liqenit”.
Nga marsi deri në dhjetor të vitit 2019, shkalla ishte 0,27% - 8 raste nga 2,964 shtrime në spital. Gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2020, shkalla u rrit në 0,62% - 17 raste nga 2,729 shtrime në spital.
“Këta janë një numër shumë i vogël “ tha Hsia. “Ne jemi një spital i vetëm, por mendojmë se mund të jemi një mikrokozmos i asaj që po ndodh në të gjithë vendin.”
Diabeti tip 2 është lloji më i zakonshëm i diabetit dhe shoqërohet me mbipesha, dietë të dobët dhe mungesë të ushtrimeve fizike, shkruan CNN, përcjell klankosova.tv.
"Faktorët e rrezikut për diabetin e tipit dy mund të përkeqësohen edhe më shumë gjatë një kohe si kjo, ku ata duhet të qëndrojnë në shtëpi, dhe ata nuk kanë qasje në ushqime të shëndetshme dhe aktivitet fizik, dhe ka shqetësime të gjumit," tha Hsia.
Fëmijët që u pranuan për diabet të tipit 2 në vitin 2020 kishin simptoma më të rënda sesa fëmijët e pranuar në 2019, tha ekipi. Ata kishin nivele më të larta të sheqerit në gjak dhe shenja të dehidrimit më të rëndë - të shkaktuara kur trupi përpiqet të heqë qafe glukozën e tepërt përmes urinimit.
●●●
PSHKRIMI NGA
PE
Editorial nga Klan Kosova — ndjek shëndet dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.