Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se kanë mbetur rreth 70 mijë objekte për t’u legalizuar, një pjesë e të cilave janë të pamundura për shkak të kufizimeve ligjore aktuale.
Gjatë një takimi me banorët e Njësisë 14 në Tiranë, Rama theksoi se deri më tani janë realizuar rreth 300 mijë legalizime, duke e cilësuar procesin si të vështirë dhe kompleks, transmeton Klankosova.tv.
“Kemi diskutuar për legalizimet sepse që legalizimet janë një proces i vështirë, kjo nuk diskutohet. Sepse janë bërë shumë legalizime, janë bërë afër 300 mijë. Janë shumë, por ka akoma edhe një numër rreth 70.000 që duhen bërë, ndërkohë që një pjesë e tyre janë problem sepse janë të pamundura nga ligji aktual, jo është mbi kolektor, jo është mbi rrugë. Kjo është e vërteta,” u shpreh Rama.
Sipas tij, mbetet shqetësuese fakti që disa qytetarë që kanë aplikuar më herët vijojnë të presin, ndërsa të tjerë që kanë bërë kërkesë më vonë përfitojnë më shpejt.
“Ajo që mua më shqetëson është pse dikush që e ka bërë kërkesën që në 2010 duhet të presë akoma, ndërkohë që dikush që e ka bërë kërkesën në 2018, ta marrë më para,” deklaroi ai, duke theksuar nevojën për një sistem më të drejtë dhe transparent.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se po punohet për krijimin e një sistemi të ri me kritere të qarta, ku qytetarët do të informohen për kohën e pritjes në bazë të vitit të aplikimit.
Ndër të tjera, Rama foli edhe për procesin e digjitalizimit të hartave kadastrale, duke e cilësuar atë si një punë voluminoze.
“Ne po digjitalizojmë të gjitha hartat, sepse Kadastra e ka informacionin nëpër harta dhe deri më tani janë skanuar 54 milionë fletë,” tha ai, duke shtuar se ky proces do të sjellë më shumë qartësi dhe efikasitet në trajtimin e pronave.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek shqipëria dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.