Lajmet e fundit

Gazetari dhe komentatori i sportit, Lirim Peci ia jep hakun Parisit, por mbi të gjitha, “shoferit” të klubit, Luis Enriques, i cili ristrukturoi klubin dhe ia dha një energji të re që nga largimi i bujshëm i Kylian Mbappesë.
“Ka nisur si projekt i madh por PSG deri në sezonin e fundit nuk kishte arritur të lë gjurmë. Me largimin e Kylian Mbappesë, shumë analistë menduan se skuadra do të ishte më e dobët mirëpo kështu nuk mendoi Luis Enrique të cilit i besuan zyrtarët e klubit dhe ia plotësuan dëshirat duke transferuar lojtarët që i deshi në skuadër strategu spanjoll”, ka thënë Peci për Klankosova.tv.
“Në fillim të sezonit të kaluar, pakkush besoi në suksesin e PSG-së mirëpo ‘princat’ arritën që të fitojnë çdo trofe të mundshëm”.
“Kjo formë e ekipit që i prin Enrique duke u bazuar edhe tek mosha mesatare shumë e re mund të jetë një garanci nga klubi parisien për një dominim total jo vetëm në Ligue 1 por edhe në Champions League”.
Mirëpo, erdhi finalja e Botërorit për Klube. Paris Saint-Germaini hynte me motivin pasi kishte shkallmuar klubin më të madh në botë, Real Madridin, 4:0 në gjysmëfinale.
Por, të Kaltrit e Enzo Marescas kishin plane të tjera. 3:0 në pjesën e parë dhe ëndrra e Parisit u përmbys.
Mirëpo, për Pecin kjo disfatë nuk e zbeh “faktin” që gjiganti francez është aktualisht klubi më i fortë në botë. Teksa, edhe për të Kaltrit ka një parashikim pozitiv, por në kufijtë e shtetit të tyre.
“Një finale e cila nuk ishte aspak e barabartë, me një Chelsea që kishte synime të qarta që nga fillimi për t’u shpallur kampion botëror dhe një PSG që nuk ishte në asnjë moment në element. Ishte një ditë e zezë për parisienët, një nga ato ditët ku nuk funksionon asgjë, e sidomos në mesfushë”.
“Prapë se prapë, edhe pse PSG pësoi në atë finale, mendoj që Luis Enrique e ka skuadrën më të fortë në botë ndërsa sinjale tepër pozitive nga londinezët e Chelseat për sezonin e ri dhe mendoj që qysh tash Enzo Maresca me të përzgjedhurit e tij kanë hedhur kandidaturën për titull në Premier League”.
Sezoni i ardhshëm do të tregojë nëse njëmend po hidhen themelet e një dinastie, apo nëse PSG-ja do të ruajë domimin vendor e të jetë vetëm “njëra ndër” favoritet për të marrë frerët e Evropës.
Finalja e humbur thellë ndaj Chelseat ka lëkundur “absolutizmin” mbi fuqinë e PSG-së, që nisi me fitoren e madhe ndaj Interit dhe rroku qiellin me triumfin deklasues ndaj Real Madridit një stad para finales së hidhur ndaj klubit anglez. /Klankosova.tv