Lajmet e fundit

Albert Sylejmani, duke drejtuar skuadrën e Prishtinës[/caption]
Pse klubet e Kosovës nuk besojnë në kualitetin e trajnerëve vendorë, por "gjahun" e kanë të orientuar kryesisht te të huajt?
Ish-basketbollisti, njëherit një prej gazetarëve më të njohur sportiv, Blerim Vuniqi, fajin primar e lë te vetë trajnerët.
[caption id="attachment_2423630" align="alignnone" width="640"]
Blerim Vuniqi në Radio Klan Kosova FM[/caption]
"Mendoj se ata nuk punojnë me vetën për ta ngritur nivelin e tyre. Të gjithë trajnerët vendorë e kanë punë dytësore basketbollin, kurse ata që vijnë nga jashtë, janë profesionistë dhe punë parësore e kanë basketbollin" thotë Vuniqi.
Krejt ndryshe mendon ish-kapiteni i Yllit dhe ish-trajneri i kësaj skuadre, Agron Berisha, sipas të cilit, fare pak timonjerë të mirë skuadrash, vinë në Kosovë nga vendet tjera.
"Sa i përket trajnerëve vendorë, mendoj se nuk kanë dallim të madh ata që vinë këtu nga jashtë. Thjeshtë duhet të ju jepet besimi. Asgjë nuk ndodh brenda natës, nuk fitohet menjëherë, duhet të ju jepet kohë që ta përgadisin skuadrën. Edhe nëse një vit nuk arrihet sukesi, s'ka rëndësi, por rëndësi ka të fitohen trajnerët e rinj, pasi gradualisht vjen përvoja dhe besimi", shprehet për Klankosova.tv, legjenda e Yllit, i cili gjithë jetën i qëndroi besnik skuadrës nga Suhareka.
[caption id="attachment_2423634" align="alignnone" width="852"]
Agron Berisha, duke drejtuar Yllin (2015)[/caption]
Se vendorët duhet të përkrahen, e thotë edhe një ikonë tjetër e gjeneratës së sakrificës.
Për idhullin e dikurshëm të mitrovicasëve, Artan Mehmeti, praktika e besimit vetëm te trajnerët e huaj, duhet të ndryshojë.
"Kjo praktikë është e gabuar edhe pse vazhdimisht përsëritet, pasi klubet nuk u besojnë trajnerëve vendorë dhe vetëm kur nuk kanë zgjidhje tjetër, atyre u jepet mundësia, gjithmonë për një periudhë të shkurtër. Prej më shumë se 20 vitesh, në vendin tonë vijnë trajnerë të huaj, ndërsa shumë pak trajnerë kosovarë kanë pasur mundësinë të tregojnë veten. Përjashtim bëjnë disa si Arben Krasniqi, Bujar Loci, Ilir Selamani, Albert Sylejmani dhe disa të tjerë, të cilët kanë drejtuar ekipe për një kohë, por gjithsesi, duhet të ishte ofruar më shumë besim edhe për shumë trajnerë të tjerë kosovarë", deklaron ish numri 7 i "Torcidës".
[caption id="attachment_2423639" align="alignnone" width="681"]
Artan Mehmeti, ish-basketbollist dhe trajner i gjeneratave të reja[/caption]
A kanë kualitet trajnerët e Kosovës?
Ismet Ferati është njëri nga punëtorët e pandalshëm në basketbollin e Kosovës.
Por ish-lojtari dhe trajneri me origjinë nga Medvegja, mendon se edhe kolegët e tij ngurojnë të marrin përgjegjësinë kryesore në ekip të parë.
"Mendimi im personal është se trajnerët vendorë pak edhe ngurojnë për të drejtuar një skuadër në Superligë, për shkak se ndihen më të sigurt të udheheqin me kategori të reja, plus të punojnë edhe ndonjë punë tjetër, si psh në shkollë apo diçka tjetër", thotë Ferati.
[caption id="attachment_2423641" align="alignnone" width="837"]
Ismet Ferati, ish-basketbollist, tani trajner i basketbollit[/caption]
Megjithatë sipas tij, ka kualitet edhe te vendorët.
"Adis Beçiragiq dhe Petar Mijoviq janë trajnerë që e bëjnë dallimin nga ata që kanë ardhur nga jashtë. Por të tjerët s'është që kanë shfaqur ndonjë diferencë, prandaj që edhe ne kemi trajnerë premtues, as që diskutohet. Kemi pasur rastin e Albert Sylejmanit dhe Andin Rashices qe e kanë drejtuar një ekip të madh, siç është Sigal Prishtina. madje me shumë sukses. Perpos tyre kemi edhe Arben Krasniqin, rezultatet e të cilit flasin vet. Kurse tani kemi disa trajnerë të rinj që japin shpresë për të ardhmën, Endrit Elshani, Dritero Sefaja, Petrit Zeqiri, Lorik Kllokoqi", veçon ish-basketbollisti i Prishtinës disa prej emrave premtues.
Si Ferati, Endrit Elshanin e pëlqen edhe gazetari, Blerim Vuniqi, meqë mendon ka pasur njerëzit e duhur pranë nga kush të mësojë.
[caption id="attachment_2423651" align="alignnone" width="858"]
Endrit Elshani, Golden Eagle Ylli[/caption]
"Respektin tim prej trajnerëve vendor e ka Elshani, i cili dihet se zanatin e ka pjekë te Beqiragiqi e Mijoviqi. Kurse Andin Rashicën mendoj se nuk e kanë respektuar sa duhet në Prishtinë" i tha Klanit Vuniqi, sipas të cilit prapë se prapë trajnerët e huaj që angazhohen këtu, sjellin përvojat e tyre të dobishme për basketbollin tonë. Pos dyshës Adis e Petar, punë të madhe në Kosovë kanë bërë edhe Sarin, Radulloviq,Birgel e disa të tjerë.
Por se praktika e konsolidimit të klubeve në formën aktuale, duhet ndryshuar patjetër, është argumenti i Agron Berishës.
"Asnjë klub nuk merret seriozisht me të ardhmën, konkretisht në krijimin e kuadrove të reja, qoftë si trajnerë apo menaxherë të klubeve, për ta ngritur nivelin e organizimit të mirëfilltë. Jo çdo herë tregu ynë të jetë jashtë kufijëve, por duhet fokus te vendorët. Buxheti i klubeve të Superligës nuk është shumë larg atyre të rajonit, kurse ekipet nuk janë të organizuara në menyrë profesionale", shton Berisha, sipas të cilit edhe po "importohen" kalibër të trajnerave që s'bëjnë tepër, por marrin rroga afërsisht si në Ligat që janë prej më fortave në Evropë.
Si të ndryshohet ky mentalitet i instaluar tash e sa vjet në Kosovë?
Artan Mehmeti e thotë për Klankosova.tv. se çfarë shembulli duhet ndjekur.
"Modelin më të mirë në këtë aspekt e ka ndërmarr Turqia, e cila pas vitit 1992, kur u zhvillua 'Final Four' në Stamboll dhe basketbolli filloi të popullarizohej në vendin e tyre, fillimisht morën trajnerë kryesisht nga ish-Jugosllavia. Por brenda disa viteve, shumica e asistentëve turq filluan të drejtojnë ekipet elitare, dhe një prej tyre, Engin Ataman, madje u shpall kampion i Euroligës me ekipin grek Panathinaikos. Po ashtu, shtetet e ish-Jugosllavisë as që e konsiderojnë mundësinë të nënshkruajnë me trajnerë të huaj, duke investuar kryesisht te trajnerët e tyre".
Artani, sikurse edhe ish-kundërshtari i tij i dikurshëm në parket, Agroni, insistojnë se duhet t'u besohet projekteve për të ndërtuar skuadra të forta me trajnerë kosovarë
"Pa dashur të nënçmoj asnjë trajner të huaj — kemi pasur shumë trajnerë të mirë — mendoj se klubet duhet të besojnë më shumë te vendorët dhe t’u japin atyre një mundësi më afatgjatë, e jo si në të kaluarën. Është e padrejtë dhe nënçmuese që trajnerët kosovarë të mos marrin besimin e duhur në vendin e tyre", përfundon mendimin e tij për Klanin, Mehmeti.
Kujtojmë se aktualisht në elitën basketbollistike të Kosovës, vetëm Arbnor Rifati është shef bankine nga vendorët. Endrit Elshani qëndroi përkohësisht si trajner i parë te Ylli, deri në xhiron e fundit. Klan Kosova ka mësuar se nënkampioni aktual veç ka zgjedhur se kush do t'i drejtojë në parket, anise ende nuk e kanë bërë publik emrin e tij.
Bora e shkëputi bashkëpunimin me Arben Krasniqin, për ta angazhuar një të huaj, kurse të gjitha skuadrat tjera mbeten me trajnerë jokosovarë.