Lidhja Rajonale e Futbollit në Prizren (LRFP), me iniciativë të kryetarit Mirsad Çollaku, ka propozuar realizimin e një portreti mural kushtuar kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi.
Në njoftimin zyrtar të LRFP-së thuhet se propozimi është dërguar Komunës së Prizrenit, konkretisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), me qëllim që në zemër të qytetit të vendoset një vepër artistike publike në nder të yllit prizrenas.
“Ky propozim synon të vendosë një vepër artistike publike në zemër të qytetit, si simbol i krenarisë lokale dhe frymëzim për brezat e rinj.
Vedat Muriqi, lindur në Prizren, është shembulli më i mirë i suksesit të arritur përmes përkushtimit, kulturës dhe punës së palodhur”, thuhet ndër të tjera në propozim.
Sipas LRFP-së, një mural për Muriqin do të ishte jo vetëm një nder për të si individ, por edhe një mesazh i fuqishëm për të rinjtë e qytetit, duke i motivuar që të ndjekin ëndrrat e tyre.
“Lidhja Rajonale e Futbollit shpreson që Komuna e Prizrenit dhe DKRS ta marrin në konsideratë këtë nismë dhe të bashkëpunojnë për të gjetur një lokacion të përshtatshëm në qendër të qytetit, ku kjo vepër të mund të realizohet dhe të lansohet në një të ardhme të afërt,” përfundon reagimi.
Ky propozim është pritur me shumë interes nga sportdashësit prizrenas, të cilët e shohin Vedat Muriqin si një simbol të suksesit dhe përfaqësues të denjë të qytetit në arenën ndërkombëtare.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.