Në Prishtinë është promovuar libri "Rreshtat e bardhë" nga organizata ‘Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës”, ku 11 autorë të verbër kanë sjell rrëfimet e tyre personale në të.
Recensenti i librit, Pajazit Krasniqi gjatë këtij promovimi teksa foli për procesin e punës dhe realizmit të këtij libri, veç tjerash vuri në pah edhe pjesën motivuese dhe optimizmin që këta autorë përcjellin përmes tregimeve të tyre.
"Autorët e këtij libri na japin një porosi shumë të qartë, sidomos për ata që nganjëherë janë të mbushur me pesimizëm. Pra, këto rrëfime na bëjnë të qartë se çdo gjë është e mundur, jo vetëm për ne, por edhe për ta, siç janë: shkollimi, punësimi, martesa, krijimi i familjes, feja dhe çdo gjë tjetër, veç se për këtë duhet vullnet dhe përkushtim për t`iu shkuar gjërave deri në fund", është shprehur ai.
Kurse, redaktorja e librit, Vera Pelaj duke treguar specifikat e përmbajtjes së librit tha se: “Në këtë libër me prozë poetike, autorët kanë shprehur ëndrrat, shpresat dhe kërkesa e tyre, siç i kemi çdonjëri. Përveç që shprehin dashuri, vullnet dhe forcë, ata në rrëfimet e tyre përdorin edhe figurat stilistike, të cilat ia shtojnë vlerën edhe më shumë rrëfimeve. Përdorin figurën krahasuese, metaforën, alegorinë e figura të tjera. Secili rrëfim ka specifikat e veta, por të gjitha çojnë në një pikë, në motivim".
Fjalën pastaj e kanë marrë edhe dy bashkautorë të këtij librit, ku njëra nga ta ishte edhe Fjolla Muhaxhiri-Agusholli, e cila në pyetjen se përse ka vendosur që ta bëjë publike jetën e saj private përmes rrëfimeve në këtë libër ka thënë se do që të japë kontribut t’i ndihmojë vajzat sikur ajo.
“Përmes këtij libri dua dhe unë me kontribu për vajzat të cilat janë si unë, dhe të cilat dashtë e pa dashtë janë pak të shtypura, që përveç shëndetit jemi edhe prej mentalitetit, që fatmirësisht ka fillu që të hiqet kjo tabu, dhe që ne duhet me luftu që me iu tregu edhe tjerëve që nuk është asgjë e pamundshme për ne. Vetëm nëse e kemi vullnetin e fortë dhe mendjen e shëndoshë, gjithçka arrihet. Ne pse nuk shohim, nuk do të thotë që i kemi gjërat e ndalume. Aq më tepër ndoshta kemi fat në gjithë këtë fatkeqësi. Unë po nisem prej vetit, dhe kam thënë që ndoshta Zoti m’i ka marrë sytë, por më ka dhënë një dhuratë tjetër që është martesa dhe bashkëshorti”.
Ajo po ashtu u bëri thirrje të gjitha vajzave dhe grave të komunitetit të verbër që mos të ndalojnë dhe t’i ndjekin dëshirat dhe ëndrrat e tyre.
Kurse, koordinatori i organizatës dhe bashkautori, Betim Bregovina falënderoi pjesëmarrësit dhe tregoi se sa i rëndësishëm dhe i nevojshëm ka qenë botimi i këtij libri.
“Librin kemi vendos që të realizohet duke shpresuar që të jetë motivim për anëtarët dhe komunitetin e verbër. Kjo ka qenë më e rëndësishme, ndërsa si projekt ka rrjedhë nga projekti i vitit të kaluar që kemi bërë librin me poezi dhe kjo ka qenë arsyeja që të ndajmë më shumë nga jeta jonë private dhe intime.
Autorët e librit “Rreshtat e bardhë” janë:
- Adelina Hajdinaj – Ëndrra e përjetshme
- Betim Bregovina – Pritja e autobusit
- Fjolla Muhaxhiri – Agusholli – Pallati i zemrës
- Halil Kurmehaj – Punësimi dhe sprovat-
- Hashim Llumnica – Përdorimi i telefonave të mençur
- Hasime Ajdini- Pajaziti- Sfida kur djali i mbushi dy vjet
- Mevlude Emini – Qoftë vetëm edhe një ditë
- Naim Lezi – Të punosh në dritën e shpirtit
- Rinesa Azizi – Fjalët e syve të shprehura me zemër
- Shkurta Bregovina – Ndërrimi i figurave
- Yllka Berisha – Jeta është shkollë
Ndërkaq, në fund të pranishmit, në versionin audio patën rastin të dëgjojnë disa prej këtyre rrëfimeve.