Lajmet e fundit

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se rasti i mbrëmshëm në Mitrovicën e Veriut ku janë lënduar dy persona nga hedhja e një granate dore është akoma duke u hetuar.
Zëdhënësi i prokurorisë, Valon Preteni, për Klankosova.tv ka bërë të ditur se për rastin në fjalë i dyshuari ende nuk është identifikuar dhe as arrestuar.
Sipas tij, i dyshuari e ka gjuajtur granatën e dorës në drejtim të dy viktimave.
"Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, bashkë me policinë rasti është duke u hetuar për veprat penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, ka thënë Preteni.
Klankosova.tv përmes burimeve mëson se njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se i njëjti pritet të transferohet për trajtim në Beograd.
I njëjti burim ka bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për konflikt në baza etnike, por gjithnjë sipas burimit, rasti ka të bëjë me konflikt personal në mes të lënduarve dhe kryesit të veprës.
Personat e përfshirë në këtë rast janë të nacionalitetit serb dhe rasti mbetet duke u hetuar.
Mbrëmë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se përveç dëmeve në njerëz, janë shkaktuar edhe dëme materiale si pasojë e shpërthimit të granatës.
“Rreth orës 23:50, dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore te hoteli ‘Bisevac’ në Mitrovicë të Veriut. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 4-5 vetura dhe dy persona janë lënduar, njëri prej tyre ka lëndime më të rënda, por jashtë rrezikut për jetë. Njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, ka thënë Elshani. /Klankosova.tv