Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në zbatim të programit të saj vjetor të punës për vitin 2020 në fushën e veprimtarisë ndërkombëtare ka realizuar ngjarjen kulturore, hapjen e ekspozitës së autorëve Dritan Bocku dhe Adem Sulejmanoski, piktorë nga Dibra e Maqedonisë së Veriut.
Drejtori i QRTK, Samir Hoxha, gjatë hapjes së kësaj ngjarjeje kulturore tha se “publikut prizrenas, ua ofruam mundësinë që t’i sheh nga afër veprat e dy autorë që janë dëshmuar me artin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare, duke hapur ekspozita në shumë qytete të mëdha të Evropës, ku arti i tyre ka prezantuar kulturën, trashëgiminë dhe vlerat kombit tonë”.
“Ekspozita të tilla në këtë kohë të pandemisë do të na ofrojnë një oazë arti për ne, ku do të mund të vijmë dhe ta ushqejmë shpirtin në këto ditë jo edhe aq të lehta nëpër të cilat po kalojmë” theksoi Hoxha.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Kulturë në Dibër, Zinqe Mimidinoski, u shpreh i kënaqur për mikpritjen e ngrohtë që kishin nga drejtuesi dhe stafi i Qendrës, duke shprehur falënderim të thellë për mundësinë që iu ofrua piktorëve nga Dibra në hapjen e kësaj ekspozite në qytetin e Prizrenit.
Njëri ndër autorët e kësaj ekspozite, piktori Dritan Bocku, i emocionuar nga publiku prezent dhe pritja e ngrohte e artdashësve prizrenas, prezantoi motivet e pikturave nga e kaluara dhe bukuritë natyrore që ka treva e Dibrës.
“Ky bashkëpunim në mes dy institucioneve të vendeve respektive do jetë një hap tutje në përafrimin e kulturës, artit dhe traditës së dy vendeve tona”, thuhet mes tjerash në komunikatën e QRTK-së.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
EV
SHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.