Lajmet e fundit

Në Prishtinë është shënuar Dita Botërore e Muzikës, për nderë të se cilës janë organizuar aktivitete në disa lokacione të kryeqytetit.
Saranda Bogujevci, Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se në bashkëpunim me aleancën franceze dhe ambasadën po organizohet festa e muzikës e cila është mbajtur në sheshet e Prishtinës, SOS Kinderdorf dhe te Fontana në Ulpianë.
Kjo ditë, e njohur ndryshe si “Fête de la Musique”, nuk po organizohet për herë të parë ne vendin tonë.
Besa Berberi, Profesoreshë në Fakultetin e Muzikës ka thënë se dicka e tillë është organizuar edhe herëve të kaluara ku është kënduar në qendrën e shëndetit mental në Shtime.
Atmosferën kësaj feste ia kanë shtuar edhe më shumë studentët e akademisë së muzikës.
Studentët janë shprehur të gëzuar që ka një ditë si kjo, dhe kanë falënderuar organizatorët për mundësinë e dhënë që të performojnë para muzikëdashësve.
Pjesë e kësaj Fete de la Musique, janë bërë edhe të vegjlit, të cilët i kënduan vendit e ia dhanë edhe valles.
“Fête de la Musique”, është festival vjetor i muzikës që zhvillohet në mbarë botën më datë 21 qershor, apo në ditën e parë të verës.
Kronikë nga Kreshnik Mustafa.