Edicioni i 5-të i Prishtina Music Conference, do të zhvillohet nga 1 deri më 8 nëntor, një platformë kjo ku artistët, profesionistët dhe komunitetet bashkohen për të diskutuar sfidat, mundësitë dhe të ardhmen e industrisë kulturore. Kjo ngjarje treditore zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të Javës së Muzikës së Prishtinës.
Edicioni i sivjetmë i konferencës zhvillohet nën temën “Kosovo: The New Capital of Culture”, duke reflektuar realitetin e një skene jashtë kufijve lokalë që po zë vend në hartën kulturore evropiane. Programi përfshin diskutime mbi zhvillimin e industrisë muzikore, ndikimin e inteligjencës artificiale në krijim, dhe formatet e reja të festivaleve që po e riformësojnë mënyrën se si përjetohet muzika sot.
Pesë vjet më parë, Konferenca e Muzikës në Prishtinë filloi si një hapësirë për dialog, shkëmbim idesh dhe vizione të reja për muzikën dhe kulturën.
Ky edicion shënon një pikë kthese: nga qëndrueshmëria te krijimi, nga pyetjet te vizionet konkrete që formësojnë rolin e Kosovës si qendër kulturore në rajon dhe më gjerë. Përmes paneleve, punëtorive dhe një game të gjerë aktivitetesh, ky edicion i PMC 2025 do të hapë hapësira të reja për bashkëpunim dhe do të përforcojë rolin e kulturës si një forcë transformuese.
Në natën përmbyllëse më 8 nëntor, skena e Prishtinës do të mirëpresë emra të njohur të muzikës elektronike si Freddy K, Paquita Gordon, Opium Hum, si dhe artistë të tjerë./Klankosova.tv
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.