Shikueshmëria e dy seancave të Kuvendit të Kosovës, të mbajtura të enjten, me 5 mars, mbase ka mundur të krahasohet, të kuptohemi, jo në përmasat e njëjta, me atë të Prime-ve të Big Brother.
Edhe këtu, pra, në këtë Prime-n politik, nuk dihej se kush do të mbetej (prej deputetëve, në seancën e Parlamentit), e kush do të del, kush do të dal fitues dhe kush humbës, kush do të vazhdojë ‘garën’ e kush jo.
Te dy seancat e Kuvendit sollën dështim.
Në të parën, në një nismë që nuk dihej se ku e ka kryet e ku bishtin (si thuhet), Kuvendi i Kosovës nuk përkrahu amandamentet në Kushtetutën e Kosovës, miratimi i të cilëve do të mundësonte, pas gjashtë muaj a më gjatë, që qytetarët vet ta zgjedhin Presidentin/ Presidenten e vendit, dhe që një herë e mirë të ndodhë shkëputja e raportit shantazhues dhe kërcënues, në mes të votimit për President dhe ruajtjes së stabilitetit politik në vend.
Paradoksi i gjithë kësaj ngjarjeje është që kohëve të fundit, me gjasë, të gjitha subjektet politike në Kosovë janë në favor të zgjedhjes së Presidentit nga vetë populli votues.
Për këtë shkak, e tëra kjo çka ndodhi të enjten në mbrëmje, la shije të hidhur te shumë qytetarë, të cilët pyesnin njeri-tjetrin se çka po bëhet kështu me politikën kosovare, ku në orët e vona të mbrëmjes, synohej të ndryshohej Kushtetuta e Kosovës, dokumenti bazë i shtetit të Kosovës.
Në anën tjetër, aty kah mesnata e kësaj të enjteje, u mor vesh që kjo Legjislatura jubilare e Kosovës (e dhjeta me radhë), nuk arriti dot ta rrumbullakojë pushtetin qendror në Kosovë, pas zgjedhjeve të fundit të 28 dhjetorit, sepse nuk pati vota të mjaftueshme të deputetëve (së paku tetëdhjetë), për t’ia nisur fare procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Të dy këto dështime të Kuvendit të Kosovës kanë mundur lehtë të parashikohen.
Sikurse që është ditur pak a shumë, që i gjithë ky lëmshi i ri politik i Kosovës, ashtu siç është krijuar, pa fillim dhe pa fund, do të hidhet me të shpejtë në tavolinën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila sërish, siç ka ndodhur disa herë gjatë vitit të rëndë e rraskapitës politikisht të vitit të kaluar, do të detyrohet të gjejë gjilpërën në kashtë, dhe të racionalizojë gjithë këtë marrëzi politike e cila po e ngulfat këtë shoqëri dhe këtë vend, shtetin e Kosovës më në fund, gjithnjë e më shumë.
Kush ka mundur të supozojë në atë mëngjesin e parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pra, të hënën e 29 dhjetorit, që qartësia të thuash brutale politike e këtyre votimeve për përbërjen e Kuvendit të Kosovës, nuk do të sjell një stabilitet politik që do të matet me vite të plota.
Bota është në rrëmujë. Kjo dihet. Nuk janë të paktë ata njohës ndërkombëtarë të rrethanave që po parashohin zhvillime të tilla në Lindjen e Mesme, që do të kërcënojnë edhe paqen në Botë.
Por kush këtupari nuk do të mund të pohojë që kjo çka po ndodhë atypari, do të mund të ndikojë disi që skena politike të vjen në veti, t’i thërret mendjes, dhe t’i bëj detyrat e veta, ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij, siç e do rendi, siç e kërkon Kushtetuta e vendit, në përputhje, tek e fundit, me pritjet e qytetarëve të Kosovës.
Lehtë për t’u thënë, e vështirë, thuaja e pamundur për t’u bërë.
Absurdi më i madh i të gjitha atyre ngjarjeve të cilave ishim dëshmitarë këtë të enjte, ishte që një mëngjes dhe një ditë që nisi me shënimin e Epopesë së Jasharëve në Kuvendin e Kosovës, mori fund me këtë pafuqinë dhe rrëmujën evidente politike për ta bërë Kosovën me President.
Atje larg në atë marsin e vitit 1998, një familje tregoi që shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm për çdo sakrificë të mundshme, për ta mbërri lirinë. Me çdo kusht. Me çdo çmim.
Këtu, në këtë marsin e vitit 2026, politika kosovare, nuk u tregua e aftë që t’i bëjë punën të cilat janë përgjegjësi e saja.
Ky krahasim i flet të gjitha.
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.