Kanë kaluar 8 ditë; tashmë jemi në ditën e 9-të. Nga 34 ditë, kanë mbetur edhe 25 ditë deri në hyrjen në fuqi të shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, për shkak të paaftësisë së legjislaturës së 10-të (lexo: Qeverisë Kurti 3) që vendin ta nxjerrë nga kriza institucionale dhe ta mbajë larg krizës së zgjedhjeve të përsëritura. Afati prej 34 ditësh ishte një “trik kushtetues”, mendoj unë, për dy çështje: t’i jepte kohë Kurtit që datën e zgjedhjeve ta dërgojë më afër verës (ideal për të), ose të ruante balancën për veten e saj, duke e ditur që vendi gjithsesi do të shkojë në zgjedhje pas 34 ditësh. Përplasja mes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Rregullores së Kuvendit dhe qëndrimeve opozitare për anashkalim të unitetit nga Kurti në emrat e propozuar për President na çon përsëri te dekreti i Presidentes, që në Kushtetuese u tha se nuk ka efekt juridik, por që në praktikë zbatohet me automatizëm.
Ja pse, e sqaroj me detaje:
Procedura e zgjedhjes së Presidentit ka nisur. Nënshkrimet janë mbledhur për të dy kandidatët, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Komisioni i verifikimit të mandateve i ka verifikuar ato; kandidatët janë propozuar dhe vetëm nuk janë votuar. Por, de facto, procedura ka nisur dhe Kushtetuta, në nenin 86, flet për një procedurë të vetme të zgjedhjes së Presidentit/es, e cila hyn në fuqi me aktin e propozimit, respektivisht nominimit në Kuvend, kur lexohen emrat në seancë.
Për skeptikët, neni 86 saktëson në pikat 5 dhe 6 se bëhet fjalë për një procedurë të vetme, e cila ka nisur me mbledhjen e nënshkrimeve dhe verifikimin e tyre, e saktësuar po ashtu në pikën 3 të këtij neni:
Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]
- Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
- Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. 3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.
- Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
- Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet President i Republikës së Kosovës.
- Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
Pra, nëse skeptikët kanë dyshime te Kushtetuesja dhe mund të thonë “po kthehemi te Rregullorja e Kuvendit”, atëherë vijmë te neni 106, pika 3, që thotë se në të tri raundet e votimit duhet të jenë së paku dy kandidatë, por gjithçka sipas tyre sqarohet në Kushtetutë dhe në Ligjin për Presidentin.
Neni 106 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës
- Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet në pajtim me dispozitat e Kushtetutës dhe dispozitat e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.
- Komisioni përkatës për zgjedhjen e Presidentit verifikon nëse kandidatët i plotësojnë kushtet dhe ia paraqet raportin seancës plenare.
- Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, gjatë tri votimeve, duhet të ketë më së paku dy (2) kandidatë.
- Në seancë plenare formohet Komisioni zgjedhor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga një deputet prej secilit grup parlamentar.
Na mbetet të kërkojmë përgjigje te Ligji për Presidentin, i cili në fakt më tepër rregullon punën brenda Presidencës dhe rregullat që duhet të ndjekë Presidenti pas zgjedhjes, përfshirë edhe protokollin. Neni 4 prapë na kthen te Kushtetuta; është praktikisht një “copy-paste” i saj: thotë që Presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit dhe përmend 30 nënshkrimet e nevojshme.
Neni 4 i Ligjit për Presidentin Zgjedhja e Presidentit
- Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë, sipas procedurës së paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
- Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
- Secili shtetas i Republikës së Kosovës, që plotëson kriteret e parapara në nenin 3 të këtij ligji, mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse ai/ajo siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Pra, kjo po na tregon që ndoshta Kushtetuta dhe ligjet e shkruara kohë më parë nuk e kanë paraparë një situatë të tillë dhe mund të kemi nevojë për një interpretim tjetër për raste të ngjashme. Ose, në fund, aktivizohet mekanizmi i shpërbërjes së Kuvendit - që sipas Kushtetueses nuk ka nevojë për dekret të veçantë, por hyn në fuqi automatikisht.
Në këtë mënyrë, duket qartë se Albin Kurti është i vetmi që ka një situatë “win-win”. Kujtojmë se procedura e zgjedhjes së Presidentit ka nisur dhe neni 86 i Kushtetutës, Rregullorja e Kuvendit si dhe Ligji për Presidentin nuk mund ta ndalojnë këtë procedurë pa një interpretim të Kushtetueses. Opozita mund të përdorë vetëm të drejtën e saj kushtetuese për të bojkotuar votimin dhe për të mos krijuar kuorum, por nuk mund të vendosë për kandidatin. Edhe pse janë rreth 60 vota të lira që mund të propozojnë një kandidat të ri, i tretë ose i katërt për President, propozimi i tyre mund të shihet si një “thikë me dy tehe”: ose konsiderohet jo procedural nga Kushtetuesja, ose i ndihmon Kurtit të avancojë kandidatët e tij dhe të ruajë avantazhin politik.
Kjo situatë mund të na dërgoj tek pyetje nëse kjo edhe mund të konsiderohet shkelje e Kushtetutës, kjo pasi ligji dhe rregulloret kanë zbrazëtira për situatën qe jemi dhe kjo tregojnë se pa një interpretim të qartë nga Gjykata Kushtetuese, procedura e nisur me 04 mars vazhdon të jetë ne fuqi, ligjore dhe e vlefshme, duke i lënë kështu Kurtit kontrollin e ritmit dhe skenarit politik.
- Në thelb, zgjedhja është e qartë: ose zgjidhje e Konjufcës a Kollçakut, ose zgjedhje të reja.