Përmbledhur nga seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, janë disa momente me rëndësi për t’i vënë në pah:
Përfaqësuesja e ShBA-së kërkoi nga të dy palët që t’i rikthehen dialogut, i cili siguron rrugëtim të qëndrueshëm drejt normalizimit, në vend të teatrit. Pra, kësaj radhe nuk theksohet njohja në mes palëve (Kosovë-Serbi), siç e potencon Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Fiskal 2026 i Kongresit të ShBA-së.
Kërkesë permanente e ShBA-së për vite me radhë është pushimi i ekzistimit të UNMIK-ut, meqë Kosova nuk është më në vitin 1999. UNMIK-u, sipas saj, nuk ka rol kuptimplotë dhe nuk ka rol në avancimin e normalizimit dhe të sigurisë, që u përsërit nga përfaqësuesja e Britanisë së Madhe, por që nuk u dëgjua nga përfaqësuesi i Francës, madje u inkurajua nga Rusia dhe Kina që të vazhdojë të funksionojë.
Franca si shtet njohës, për ndryshim nga ShBA dhe Britania, i dha rëndësi pranisë së UNMIK-ut deri në zgjidhjen përfundimtare të procesit negociator.
Është me interes të përmendet se në tavolinë të Këshillit të Sigurimit sillet verdikti i GjND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës si agjencion i rëndësishëm i OKB-së.
Nuansa interesante vërehen në paraqitjet e Letonisë dhe Greqisë. Derisa përfaqësuesi i Letonisë, si edhe shumë folës të tjerë që kërkuan marrjen e masave për ndërhyrjen paramilitare nga territori i Serbisë dhe menaxhimin e implementimit të Ligjit për të huajt, shfrytëzohet rasti të përmendet lejimi i lirisë së shprehjes dhe liria e mediave.
Greqia, si një nga pesë vendet që nuk e njeh Kosovën, në disa raste në kontekst të inkurajimit të negociatave përmend nivelin bilateral dhe trilateral, që në kontekstin e platformës në të cilën po deklaroheshin përfaqësitë shtetërore, merr konotacion të negocimit në mes palëve të barabarta, apo në mes shteteve.
Kjo, për ndryshim nga ministri i jashtëm i Serbisë, Gjuriq, i cili qëndroi në trajektoren e njohur të Serbisë duke nxjerrë raportime që kanë për qëllim baltosjen e institucioneve dhe autoriteteve të Kosovës me gjysmë argumente, apo me projeksione të qëllimshme.
Paraqitja e ministrit Konjufca mund të përmbledhet në disa pika thelbësore: kritikë ndaj raportimit “të pamjaftueshëm” të shefit të ri të UNMIK-ut, posaçërisht kur bëhet fjalë për rastin Banjska (2023); spastrim administrativ në tre komunat e Luginës së Preshevës; katër njohjet e fundit nga Sudani, Kenia, Bahamas dhe Siria, duke e shfrytëzuar këtë platformë ndërkombëtare për të kërkuar njohje të reja nga vendet anëtare të OKB-së, të BE-së dhe NATO-s.
Temë e rëndësishme e piketuar për këtë seancë të Këshillit të Sigurimit është argumentimi mbi lidhmërinë legale të Dhomave të Posaçme të Gjykatës me Kuvendin e Kosovës, si dhe prezencën e EULEX-it me shkëmbimin e letrave në mes Kosovës dhe BE-së. Mendoj se ishte kjo paraqitje e nevojshme për audiencën rreth tavolinës së Këshillit të Sigurimit.
Exit kërkesa për UNMIK-un, që do të duhej të shoqërohej me kërkesën permanente për një rezolutë të re, që do ta zëvendësonte Rezolutën 1244, është koordinim tashmë i dakorduar për shumë vite radhazi, edhe nga qeveritë e kaluara të Kosovës.
Ajo që mendoj se i mungon paraqitjes së Kosovës në seanca është raportimi i plotë nga prizmi shtetëror, përmbledhje institucionale e ndërmarrjeve karshi mangësive apo lëshimeve kur bëhet fjalë për të drejtat e komuniteteve jo shumicë. Për të mos u lënë hapësirë interpretimeve jo koherente, nga faktorë të jashtëm.
Mendoj se Kosova duhet të fillojë seriozisht të përpilojë raporte periodike të cilat adresojnë temat e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e komuniteteve etnike dhe të tjera, funksionimin e institucioneve demokratike, gjyqësorit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, rendin dhe ligjin.
Raportet e tilla duhet të jenë subjekt i dërgimit drejt anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York dhe në Gjenevë, OSBE-së, si dhe platformave të tjera multilaterale, ndërkombëtare dhe ndërshtetërore.
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.