Ajo duket bukur nën dritat më të ashpra
Madje edhe nën dritën e banesës time.
Bardhësi më të shëmtuar s’njeh jeta ime
Sa ajo e ndriçimit të poçit kursimor,
Aq sa urrej idenë e një parajse të bardhë kësisoj.
Por ajo duket bukur edhe nën dritat më të ashpra,
Nën neone qorruese supermarketesh
Nën drita katile spitalesh, barnatoresh,
N’atë dritën e poshtër të ditës së vrerët
Që vë në pah hiperpigmentimin, njollat e moshës,
Eritemën, thellësinë e vrimave,
Nën ndriçimin e dritës më të ashpër
Që ekspozon çdo të metë, çdo kompleks,
Mbresën më të cekët, më të imtën të zgjeruar pore,
Por ajo kundërpërgjigjet me një dritë më të fortë
Por më të bukur, një jetë më të bukur.
Një pëllëmbë ballë saj qëndroj, dhe e vështroj;
Me sy i përshkoj lëkurën e pashenjë,
Atë teksturë të lëmuar që dëshmohet
Në përthyerjet më zbuluese të dritës.
Në sytë e saj rron vetëbesimi.
Në buzëqeshjen e saj plot shend
Lind dielli.
E bukur në të gjitha llojet e dritave.
Në të gjitha format e përthyerjes së tyre.
Nën hijen e tyre.
E bukur. Kurdo. Kudo. Sido.
Sikur ta dish pse jam i pafjalë para teje
Sikur ta kuptosh tash se
Vazhdon të dukesh bukur
Nën dritën më shëmtuese në botë!
I mposhtur. I mposhtur.
Unë i fik dritat.
Barabarësi në verbëri.
Kaq.
23 tetor, 2020
Shkruar nga: Lum Gashi
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.