Playoff-i i NBA për vitin 2026 nisi me vrull këtë vikend, duke sjellë një përzierje të dominimit të pritur dhe një përmbysjeje tronditëse që në ditën e parë.
Orlando Magic shkaktoi surprizën më të madhe të fundjavës, duke mposhtur ekipin e vendit të parë në Lindje, Detroit Pistons, me rezultatin 112–101 në Ndeshjen e 1-rë. Paolo Banchero me 23 pikë dhe 9 kërcime, udhëhoqi Magic drejt fitores, duke vënë menjëherë nën presion favoritët e konferencës lindore përpara ndeshjes së 2-të.
Në Konferencën e Perëndimit, San Antonio Spurs përmbushën pritshmëritë falë një performance historike nga Victor Wembanyama. Në debutimin e tij në playoff, Wembanyama shënoi 35 pikë për të udhëhequr Spurs drejt fitores 111–98 kundër Portland Trail Blazers, duke thyer rekordin e klubit që e mbante Tim Duncan me 32 pikë, të shënuara në një debutim në playoff.
Ndërkohë, kampionët në fuqi, Oklahoma City Thunder, nisën mbrojtjen e titullit me autoritet, duke mposhtur Phoenix Suns 119–84.
Sa i përket ndeshjeve tjera, Lakers bën historinë, pasi LeBron dhe Bronny James u bënë dyshja e parë babë-bir që ndanë parketin në një ndeshje playoff-i, ku Kalifornianët triumfuan 107-98 në ndeshjen e 1-rë në seri kundër Houston Rockets.
Boston Celtics dominuan ndaj Philadelphia 76ers me një fitore të pastër 123–91, duke siguruar avantazhin e hershëm 1-0 në seri.
Atlanta Hawks (102-113) New York Knicks
Toronto Raptors (113-126) Cleveland Cavaliers
Minnesota Timberwolves (105-116) Denver Nuggets
NBA po ashtu dje emëroi zyrtarisht, Shai Gilgeous-Alexander, Nikola Jokić dhe Victor Wembanyama, si finalistë të çmimit MVP për sezonin 2025/26.
Përndryshe, aksioni vazhdon me tri ndeshje në orët e para të së martës.
Në Sport 1 nga ora 2 pas mesnatës, do të transmetohet takimi i 2-të i playoff-it, në mes Atlanta Hawks dhe New York Knicks./Klankosova.tv
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.