MLS ka njoftuar se sulmuesi uruguaian i Inter Miamit, Luis Suarez, është pezulluar për 3 ndeshje, për shkak se pështyu kundërshtarin në finalen e Kupës së Ligës kundër Seattle Sounders, e zhvilluar më 31 gusht.
Në deklaratën e MLS thuhet:
"MLS ka shpallur dënimet disiplinore lidhur me incidentet pas finales së Kupës së Ligës mes Seattle Sounders dhe Inter Miami. Luis Suarez (Inter Miami) është pezulluar për 3 ndeshje në sezonin e rregullt të MLS."
Sulmuesi i Inter Miamit do të mungojë më 13 shtator kundër Charlotte FC, më 16 shtator kundër Seattle Sounders dhe më 20 shtator kundër DC United.
Ky vendim i MLS erdhi pasi Komiteti Disiplinor i Kupës së Ligës e kishte dënuar më herët Suarezin me 6 ndeshje pezullim nga kjo garë për sjelljen e tij pas fishkëllimës përfundimtare.
Kështu, uruguaiani është pezulluar gjithsej me 3 ndeshje në MLS dhe 6 ndeshje në Kupën e Ligës.
Në finalen e Kupës së Ligës, që Inter Miami e humbi 3-0 kundër Sounders, Suarez kishte pështyrë drejt një anëtari të stafit teknik të kundërshtarit.
Sulmuesi uruguaian ka një të kaluar problematike: në vitin 2011, kur luante me Liverpoolin, u pezullua për 8 ndeshje për fyerje raciste ndaj mbrojtësit të Manchester United, Patrice Evra.
Përveç kësaj, gjatë karrierës me Ajaxin, Liverpoolin dhe kombëtaren e Uruguait, ai është dënuar tri herë për kafshime ndaj kundërshtarëve.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.