Përfundimi i muajit të Ramazanit dhe ardhja e festës së Fitër Bajramit në qytetin e Gostivarit u shënua me inaugurimin e investimeve infrastrukturore që lidhen me kultivimin e jetës fetare dhe shoqërore.
Në prani të delegacionit të Komunës së Gostivarit dhe Muftinisë së Bashkësisë Fetare Islame, u përuruan investimet në oborrin e Myftinisë, Medresesë së Vjetër dhe Sahat Kullës së qytetit, respektivisht shtrimi me kalldrëme tradicionale i rrugicave brenda dhe rreth e qark kompleksit fetar si donacion nga kompania nga Italia, me pronar shqiptar, Bardhul Durmishi.
“Sonte është nata e fundit e Ramazanit dhe nesër festojmë festën e Bajramit. Kam kënaqësinë që sonte mes dy festave të përurojmë shtrimin e trotuareve brenda dhe përreth Xhamisë së Sahatit me kalldrëm tradicionale” ka thënë kryetari Bejta, i cili vuri në dukje që tashmë ka një pamje krejtësisht tjetër dhe është pëlqyer shumë si nga qytetarët e Gostivarit ashtu edhe nga vizitorët që kanë vizituar qytetin e Gostivarit.
“Xhamia e Sahatit është qendra e gjitha xhamive të territorit të Komunës së Gostivarit, dhe që na lidh me të kaluarën e Islamit në këto troje. Ishte iniciativë e kahmotshme që ky kompleks i Xhamisë së Sahatit të zbukurohet edhe më fuqishëm që njerëzit që e vizitojnë nga brenda dhe nga jashtë të shohin një monument të bukur dhe funksional. Gostivari tani ka një qendër për të cilin mund të krenohet dhe që të mund të presim mysafirë nga gjitha vendet që vijnë këtu”, ka thënë myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu.
Pronari i Kompanisë “Balkan Porfidi & Construzioni S.R.L” ka shprehur falenderim deri tek Myftinia dhe Komuna e Gostivarit që i dhanë mundësinë përvojën gati 25 vjeçare në Itali ta ekspozon në vendlindje, shkruan tetovasot.
Duhet theksuar se në pjesën qendrore të qytetit u rregullua edhe ndriçimin publik, dhe po ashtu u bë rinovimi i objektit të medresesë së vjetër si dhe u restaurua objekti i Sahat Kullës së qytetit.
Brenda kohës, Myftinia në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit ndërtoi muret e reja përreth tre objekteve fetare si dhe u vendosën rrethoja të reja.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
LH
SHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.