07.09.2016 · përditësuar para 3598 dite2 min lexim
Muajin e parë të vitit 2016, Kosovën e gjetu me protesta, dhunë dhe arrestime.
Opozita atëbotë po kundërshtonte vendimet e qeverisë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Por në atë periudhë të zymtë, ndodhi diçka e mirë. Filmi “Shok” u nominua për Oscar.
Për herë të parë aktorët nga Kosova, Luv Veseli dhe Andi Bajgora ecën në tapetin e kuq në Hollivud.
Ndonëse nuk mori çmim, arritje e madhe ishte vetëm nominimi i këtij filmi në garën më prestigjioze të kinematografisë në botë.
Në ndërkohë, Asociacioni e Demarkacioni po vazhdonin të ishin temat kryesore në vend. Tensionet u shtuan më shumë në muajin shkurt me zgjedhjen e Hashim Thaçit për President të vendit.
Mirëpo, këto rrethana nuk ishin pengesë për Era Istrefin që depërtoi në skenën muzikore botërore me hitin e saj Bon-Bon.
Në mars Federata Kosovare në Basketboll arriti të bëhej anëtar i FIBA-s, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra nga Serbia.
Dy muaj më vonë të njëjtin sukses e arriti edhe Fadi Vokrri i futbollit.
Kosova u anëtarësua në UEFA. 10 ditë më vonë edhe FIFA vendosi që FFK-në ta njohë me të drejta të plota. Kjo automatikisht i hapi rrugë përfaqësueses të luaj në kualifikimet për kampionat botërorë Rusia 2016.
Ndërkohë, një këngëtare tjetër kosovare filloi ngjitjen në top listat botërore të muzikës.
Be the One e Dua Lipës u bë njëra prej krye këngëve në gjithë globin.
Hit ishin edhe shqiptarët në kampionatin evropian të futbollit. Jo aq për rezultatet, sa për tifozerinë e kombëtares që përmendej si shembull për të tjerët se si duhet përkrahur ekipi i zemrës.
Të gjitha këto suksese në kulturë e sport mbase vetëm sa po i shtonin motivin një xhudisteje që po përgatitej për Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit.
Për herë të parë Kosova po merrte pjesë në këto gara. Flamurin e shtetit të ri po e barte shpresa më e madhe për medalje, Majlinda Kelmendi.
Ajo edhe i përmbushi pritjet dhe kështu mori medaljen e artë në xhudo.
Vikendin e parë të shtatorit yjet shqiptare u tubuan në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Aty ishte organizuar koncert për nderë edhe të një shqiptareje. Bile për shkak të punës së saj humanitare që kishte bërë gjatë gjithë jetës, Nëna Terezë do të shpallej shenjtore.
Një ditë më vonë edhe futbollistët e Kosovës bënë historinë. Në ndeshjen e parë kualifikuese për kampionat botëror fituan një pikë si mysafirë të Finlandës.
Pas secilit nga këto suksese, vrapuan politikanët. Ata u fotografuan në Vatikan e Finlandë, duke u treguar të afërt me ata që po korrnin suksese.
Për më tepër mund ta shikoni kronikën e përgatitur nga Zija Miftari.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
DG
SHKRIMI NGA
Donika Gashi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.