Alex “Poatan” Pereira kishte nevojë për vetëm 80 sekonda për t’u hakmarrë ndaj Magomed Ankalaev.
Braziliani e nokautoi brutalisht kampionin Magomed Ankalaev për ta rikthyer titullin e kampionit në UFC, kategoria deri në 93 kg, (në zhargonin e mma, divizioni Light Heavyweight), në revanshin ndaj rusit që e kishte mundur në luftën e tyre të parë me vendim të gjyqtarëve.
Pereira hyri në kafaz i qetë, por dukej se kishte hakmarrjen në mendje ndaj Ankalaev, pas gjithë atyre thumbimeve që kishin ardhur nga kampi i luftëtarit nga Dagestani për muaj të tërë, që nga lufta e tyre e parë, ku Ankalaev i mori titullin.
Alex Pereira arriti ta befasojë Ankalaev, duke avancuar drejt tij që nga nisja e luftës, dhe brenda 80 sekondash e detyroi gjyqtarin Herb Dean të ndërhyjë për ta ndalë luftën. Kjo ishte një deklaratë hakmarrjeje e pastër dhe brutale nga ‘Poatan'.
Edhe pse thuhet se e theu gishtin e këmbës nga një goditje e bllokuar në fillim të luftës, Pereira nuk tregoi asnjë shenjë dobësie. Qetësia, precizioni dhe fuqia e tij brutale e konfirmuan sërish si një nga goditësit më të frikshëm që është parë ndonjëherë në UFC.
Fitorja i ktheu menjëherë statusin e kampionit dhe ringjalli diskutimet për një kalim të mundshëm në peshën e rëndë për një super luftë kundër Jon Jones vitin e ardhshëm në eventin që pritet të mbahet në Shtëpinë e Bardhë.
Për Ankalaev, humbja është një tronditje e madhe. Rritmi i tij u ndal papritur dhe dolën në pah dobësi serioze në mbrojtje.
“E thashë që do kthehesha - dhe këtë herë më shpejt,” deklaroi Pereira pas luftës, teksa largohej duke mbajtur brezin e artë dhe këmbën e lënduar.
Alex Pereiras i takoi bonusi për Performancën e Natës “Performance of the Night”.
Në Co-Main Event, Merab Dvalishvili mposhti Cory Sandhagen me vendim unanim të gjyqtarëve.
Merab Dvalishvili e dëshmoi edhe njëherë pse quhet ‘The Machine’, duke fituar me dominim të plotë ndaj Cory Sandhagen, duke e mbrojtur titullin në peshat deri në 61 kg (divizioni Bantamweight).
Në rezultatet e tjera të Skedës Kryesore (Main Card), ishte edhe fitorje e Jiří Procházka ndaj Khalil Rountree Jr. me nokaut, në një luftë spektakolare me shkëmbime të egra.
Përndryshe kjo luftë u vlerësua me bonus për Luftën e Mbrëmjes “Fight of the Night”.
Joe Pyfer befasoi me fitore përmes submission ndaj Abus Magomedov, në raundin e parë, dhe Pyfer siguroi bonusin për Performancën e Natës “Performance of the Night”
UFC 320 do të mbahet mend si nata e rikthimit të Alex ‘Poatan' Pereiras, me një masterklasë dhune për vetëm 80 sekonda që tronditi gjithë divizionin e ‘Light Heavyweight’. Nga dominimi i Dvalishvilit, te lufta e çmendur Procházka-Rountree, eventi i UFC320 që u mbajt në “T-Mobile Arena" në Las Vegas, kishte gjithçka: shpejtësi, kaos dhe përfundime spektakolare./Klankosova.tv
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.