Kur Chelsea do të përballet me Manuel Pellegrinin dhe skuadrën e tij të Real Betis të mërkurën në mbrëmje, ata do të sfidojnë një trajner me ndikim më të madh te “Blutë” se sa që mendojnë shumë njerëz.
Rreth 15 vjet më parë, Pellegrini drejtonte Malagan kur vuri re një lojtar të tij në të 30-at, me një sy të veçantë për lojën, dhe i tha të ndjekë karrierën e trajnerit. Ai ishte Enzo Maresca.
“Shpesh mund të dallosh cilët lojtarë do të bëhen trajnerë të mirë – nga mënyra se si ndikojnë tek të tjerët, si e përvetësojnë konceptet në stërvitje”, tha së fundmi Pellegrini, raporton SkySports, transmeton Klankosova.tv.
“Tek Enzo dhe Willy [Caballero, ndihmës trajner i Chelsea], isha i sigurt që do të bëheshin trajnerë me ndikim në nivel global”.
Në ndeshje fatesh, Pellegrini është vetëm një hap larg fitimit të titullit të parë evropian me Betisin – por trajneri që i qëndron në rrugë është pikërisht ai që ai e ndihmoi të formohet.
Jo vetëm që Maresca u bë trajner, por Pellegrini e mori italianin pranë vetes si ndihmës te West Ham – dhe ende e këshillon edhe sot.
“E përkufizoj si një babë profesional, sepse kur duhet të marr vendime të mëdha, jemi në kontakt”, tha Maresca këtë muaj, duke shtuar se kishte biseduar me Pellegrinin për çështje trajnerësh edhe javën e kaluar.
Mund të pyesni veten se sa nga problemet e Chelseat, Maresca ia ka rrëfyer Pellegrinit këtë sezon.
Pellegrini jo vetëm që e shtyri Marescan drejt botës së trajnerëve, por edhe e zhvilloi atë – deri në momentin që ai mori një punë si ajo te Chelsea.
“Mësova shumë prej tij, veçanërisht se si të menaxhoj lojtarët, skuadrën”, shtoi Maresca. Kjo ka qenë shumë e dobishme për Chelsean, duke pasur parasysh numrin e lojtarëve që kanë marrë në vitet e fundit.
Tani ekziston një ndjenjë uniteti te Chelsea, që ka sjellë edhe kualifikimin në Champions League.
Maresca dhe Pellegrini nuk lidhen vetëm historikisht, por edhe filozofikisht. Ka ngjashmëri mes dy trajnerëve – më e dukshmja është qëndrimi i tyre ndaj pozicionit jashtë loje.
Këtë sezon te Chelsea, Maresca ka përdorur taktikat e njohura si “kurthi i offsaidit i Pellegrinit” – duke luajtur me një vijë të lartë afër zonës së vet, një mënyrë agresive mbrojtjeje.
Ky stil i Marescas është vënë re, por jo gjithmonë pozitivisht, pasi skuadrat më të mira kanë shfrytëzuar këtë mënyrë mbrojtjeje të Chelseat.
Liverpool, Arsenal dhe Newcastle – tre nga pesë më të mirat e Premier League – kanë shënuar gola duke thyer këtë kurth të pozitës jashtë loje. Edhe Aston Villa e ka kaluar këtë kurth në fitoren 2-1 në Villa Park.
Megjithatë, përveç pikave negative që tregojnë sa larg duhet të shkojë Maresca për t’u bërë trajner fitues si Pellegrini në Angli, ka edhe shumë aspekte pozitive. Kurthi i offsaidit mund të funksionojë, transmeton Klankosova.tv.
Vetëm Liverpool dhe Villa kapën më shumë kundërshtarë në pozicion jashtë loje sesa Chelsea në sezonin e kaluar të Premier League, që tregon efektivitetin e taktikes që Maresca ka mësuar nga Pellegrini.
Maresca ka pasur kritikët e tij te Chelsea këtë sezon, por ndërsa sezoni i tij i parë po mbaron, ai ka rezultuar një trajner në vendin dhe kohën e duhur.
Eksperienca e tij si trajner i ekipit të dytë të Manchester Cityt – ku punoi me emra si Cole Palmer dhe Romeo Lavia – ndihmoi të arrijë rezultate me skuadrën më të re në histori të Premier League.
Koha si ndihmës i Pep Guardiolas në City i ka sjellë përfitime edhe te Chelsea. Taktika që e shndërron qendërmbrojtësin në mesfushor organizativ, taktikë të cilën Guardiola e solli në Angli, ka ndihmuar në rritjen e futbollistëve si Marc Cucurella dhe rikthimin e shkëlqyer të Reece James.
Nuk duhet harruar as ditët e tij si mesfushor, ku shënoi dy gola për Sevillan në finalen evropiane kundër Middlesbrough në 2004. Kontributi i tij ka ndihmuar Moises Caicedon dhe Enzo Fernandezin të fillojnë të justifikojnë shumat e mëdha që Chelsea ka paguar për ta.
Por, të arrish rezultate dhe të zhvillosh lojtarë është një gjë, kurse t’i bësh ata fitues është një gjë tjetër.
Fitimi i një trofeu, gjë që “Blutë” nuk e kanë bërë që nga viti 2021 – kur fituan Champions League dhe Kupën e Botës për Klube – do të ishte një hap i madh jo vetëm për projektin e Marescas, por edhe për atë të Todd Boehly dhe Clearlake Capital.
Për ta arritur këtë, Maresca duhet të mposht mentorin e tij. Me gjithë ndikimet që trajneri kilian ka pasur në karrierën e tij, të gjitha rrugët duket se çojnë drejt Manuel Pellegrinit.
Ndeshjen finale të Ligës së Konferencës, mes Chelseat dhe Real Betisit, do të keni mundësi ta ndiqni sonte në platformën Artmotion me fillim nga ora 21:00. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.