Java e parë e Serie A 2025/2026 tashmë ka përfunduar. Ndeshja e fundit në program ishte pikërisht Inter-Torino.
Takimi kundër Torinos së Baronit përfundoi me rezultatin 5-0, falë golave të Bastonit, dopietës së Thuram, rrjetës së Lautaro Martinez dhe golit të parë të Bonny me fanellën zikaltër.
Në fund të ndeshjes, Christian Chivu u ndal, si zakonisht, për intervistën pas ndeshjes, ku trajneri rumun foli për qasjen ndaj takimit dhe analizoi se si u arrit rezultati përfundimtar, transmeton Klankosova.tv.
“Djemtë u futën menjëherë në dimensionin e tyre, pranuan se duhej bërë një grumbullim i vështirë me stërvitje të dyfishta dhe askush nuk u ankua. U paraqitëm sot në kushte mjaft të mira dhe jemi të kënaqur edhe si staf“. Chivu foli edhe për performancën e mesfushorit kroat, Petar Sucic i cili shkëlqeu në debutimin e tij në Serie A. “Sucic është një lojtar me cilësi dhe personalitet, bëri me të vërtetë një paraqitje të madhe. Kemi marrë shumë të rinj dhe po përpiqemi t’i integrojmë. Dhe djemtë që janë këtu prej më shumë kohësh na ndihmojnë në këtë“.
Pas kësaj ndeshjeje, Interi në javën e dytë të kampionatit, do të luajë sërish në shtëpi, kësaj radhe kundër Udineses./Klankosova.tv/.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.