Për dy vjet ishte Ballkani.
Skuadra nga Suhareka arriti që në dy sezone fantastike (2022/23 dhe 2023/24) të luante në finalet e UEFA Europa Conference League, duke grumbulluar secilin edicion nga katër pikë.
Të njëjtin sukses, "Xhebrailat" nuk mundën ta shijojnë edhe për të tretën herë me radhë, andaj vitin e kaluar, kampionati elitar i Kosovës në futboll nuk kishte skuadër përfaqësuese, njofton Klankosova.tv.
Por në të njëjtin kompeticion, sivjet do të paraqitet Drita.
Gjilanasit, si kampion të Republikës, arritën që ta kapin nivelin e suharekasëve në Evropë, duke u bërë pjesë e ekipeve më të mira të kontinentit, të cilat garojnë në UECL.
Paraqitja e parë dhe historike për katër herë kampionët e Kosovës, nis nga Finlanda.
"Intelektualët" sonte janë mysafirë të Kuopion Palloseura, ndeshje e cila fillon në orën 18:45, raporton Klankosova.tv.
Pas finlandezëve, ekipi kosovar do ballafaohet më 23 tetor me Omonian e Qipros në Prishtinë, teksa dy javë më vonë udhëton në Republikën e Irlandës për t’u ndeshur me Shelbourne.
Festa shqiptare është e rezervuar në prag të festës së flamurit kombëtar, duke qenë se më 27 Nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, përballet Drita dhe Shkëndija e Tetovës.
Në kryeqendrën e Kosovës, dueli i fundit i fazes së parë të finaleve në UEFA Europa Conference League për kampionët nga Gjilani, është ai kundër holandezëve të AZ Alkmaar, kurse mbyllet në Spanjë te Rayo Vallecano.
Ndërkohë sonte, trajneri Zekrija Ramadani, ka vendosur të zbres kështu kundër KuPS: Maloku, Krasniqi, Bejtullai, Pëllumbi, Ovouka, Limaj, Dabiqaj, Ajzeraj, Balaj, Tusha, Manaj.
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.