Pas tre vjetësh mungesë, është rikthyer edicioni i 22-të i Panairit të Librit në Prishtinë.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, në një intervistë për "Info Magazinë" në Klan Kosova, u shpreh se janë mijëra tituj që kanë dalë gjatë këtyre viteve.
Ai këtë rikthim të panairit e konsideroi si shpresë, duke thënë se të gjithë lexuesit mund ta gjejnë vetën në këtë panair.
"Rikthimi është gjithmonë shpresë. Janë mbi 100 ekspozues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Diaspora, botues shqiptarë që marrin pjesë në panair dhe prezantojnë botimet e tyre, mijëra tituj që kanë dalë gjatë këtyre viteve dhe secili tip i lexuesit mund ta gjejë vetën këtu", tha ai.
Ai tha se gjatë gjithë këtyre ditëve, do të mbahen mbi 30 promovime librash, përcjell Klankosova.tv.
"Gjatë gjashtë ditëve sa zgjat panairi, mbahen mbi 30 promovime në sallën e promovimeve, ku lexuesit kanë mundësinë të takohen me shkrimtarë, botues e përkthyes për të diskutuar e mësuar më shumë për botime të reja. Gjatë gjithë kohës, ky ambient kthehet në një festë libri dhe gjatë gjithë kohës ndodh diçka që rrëmben vëmendjen e vizitorëve", tha ai.
Tutje, Zeneli tregoi edhe për zbritjet që lexuesit mund të kenë në librat që vendosin t'i blejnë.
Ne si organizatorë, kërkesë ndaj botuesve kemi që të paktën 20 për qind të ketë zbritje gjatë ditëve të panairit, pastaj është në dorën e botuesve të vendosin për zbritje më të mëdha. Unë më herët pash që disa botues kanë vendosur zbritje deri në 80 për qind dhe kjo është një mundësi e artë për lexuesit.
https://www.youtube.com/watch?v=qN6jg_UHp0c
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.