Lajmet e fundit

Tifogrupi i Kosovës, “Dardanët” kanë dalë me një reagim të ashpër pasi Shqipëria pritet të organizojë Kampionatin Evropian U21 së bashku me Serbinë.
Në reagim thuhet se me organizimin e kësaj ngjarjeje, sipas tyre, turpi do të jetojë përjetë dhe nuk do të falet, transmeton Klankosova.tv.
“Dikush ka vendosur që ta normalizojë bashkëpunimin me të ashtuquajturit serbë dhe të ashtuquajturën Serbi si kurrgjë hiç duke shkelur me dy këmbë mbi emocionet, gjakun dhe plagët e freskëta të shqiptarëve të kësaj treve dardane”, thuhet në reagim.
“Pak ditë pasi kujtuam si popull rënien në detyrë të heroit Afrim Bunjaku dhe hyrjen terroriste, barbare e kriminale të çetnikëve të furnizuar me municion armësh nga vendi fqinj hegjemonist, na vjen lajmi zyrtar se nga Tirana paskan vendosur të bashkëpunojnë me Serbinë për bashkorganizim të Euro 2027 për grupmoshën U-21”.
“Bashkëpunojnë me federatën e atyre që nuk e shqipton asnjë dënim kur çdo javë klubet serbe shfaqin banderola shoviniste me flamurin e Kosovës të mbuluar me ngjyra të Serbisë apo kur tifozët e klubeve të Beogradit bëhen nxitës e motivues për rikthim të ushtrisë serbe në Kosovë, gjë që më pas u përpoq të ndodhë me një grup terrorist derisa mori përgjigjen e burrave dhe grave heroike të Republikës, të cilët u treguan se pragun e shtëpisë e mbrojmë në çdo pëllëmbë të tij. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për poshtërim moral dhe emocional, por ndihmë dhe përkrahje. Ngjarja edhe do të organizohet, por turpi do të jetojë përjetë dhe nuk do të falet. Kosova nuk do ta falë. Jo në emrin tonë!”, ka përfunduar reagimi i “Dardanëve”.
Reagim pati edhe nga “Tifozat Kuq e Zi”.
Në reagimin e tyre thuhet se ky organizim “nuk mund të quhet i Shqipërisë”.
Kjo pasi, sipas tyre, “FShF-ja nuk ka kompetencën të flasë në emër të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vetëm në emër të vetin si organizatë, e që pas këtij akti do gjejë mbështetje vetëm tek punonjësit e vet që u jep pagë”, thuhet në reagim.
“Nuk mjaftuan me mijëra reagime, shkrime, emisione e analiza unanimisht KUNDËR për këtë nismë, por që FSHF-ja me saktë kreu i saj me hir ose pahir mori mbi supet e veta të drejtën e vendosjes kokë më vete për një nismë me kaq shumë kundërshtime”, thuhet tutje në reagim.
“Nuk mjaftuan as qindra mijëra viktima shqiptare, gjenocidi e masakra nga ana e shkijeve. Gjithashtu nuk mjaftoi as nata e 14 tetorit kur Kombëtarja Shqiptare u gjend në një ambient terrori, e ku u bë thirrje ‘vrisni shqiptarët’, e ku lojtarët shqiptarë u rrahën e u fyen, madje edhe ju rrezikua jeta e tyre”, thanë “Tifozat Kuq e Zi”.
Gjatë ditës së djeshme, UEFA e ka pranuar zyrtarisht ofertën e Shqipërisë dhe Serbisë, për të bashkëorganizuar Kampionatin Evropian në kategorinë U-21 në vitin 2027.
Kjo u bë e ditur të enjten nga shtëpia e futbollit evropian në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv që u mbajt në Nyon të Zvicrës.
UEFA njoftoi se ky tandem i organizim e ka përmbushur afatin e fundit këtë javë për të paraqitur planet e detajuara të turneut.
Të interesuar për organizim ishin edhe Turqia dhe Belgjika.
Vendimi për dhënien e të drejtës për organizim pritet të merret më 16 dhjetor.
Ky bashkëpunim në mes të Shqipërisë dhe Serbisë, ngjalli reagime të shumta sidomos në trojet shqiptare.
Në maj, kryetari i FShF-së Armand Duka, i cili është edhe nënkryetar i UEFA-s, kishte deklaruar se projekti në fjalë është “100% futbollistik, me një mesazh shumë të mirë politik që ne mund ta përcjellim”.
Federatat shqiptare dhe ajo serbe e futbollit u bashkuan për të planifikuar organizimin e turneut me 16 ekipe që luhet çdo dy vjet, i cili ka nevojë për tetë stadiume për të pritur 31 ndeshje.