Oklahoma City Thunder përballë Golden State Warriors. Do të jetë kjo finalja e madhe e Konferencës së Perëndimit në NBA. Game Over për San Antonio Spurs. Në Chesapeake Energy Arena Kevin Durant e Rusell Westbrook me shokë fituan edhe ndeshjen e 6-të ndaj formacionit teksan duke e mbyllur në 4-2 serinë gjysmëfinale mes tyre për të siguruar finalen e 4-t në Konferencën e Perëndimit gjatë 6 viteve të fundit. Atë që askush se priste e realizoi në mënyrë perfekte Oklahoma me City Thunder që eliminuan bindshëm skuadrën e dytë më të kouotuar pas Golden State Warriors për të qenë pjesë e finales së Perëndimit. Në ndeshjen e 6-të aty ku të gjithë prisnin rikthimin në lojë të San Antonios erdhi shpërthimi i Oklahomës.
Të ndihmuar edhe nga forma fantastike e Durant e Westbrook, City Thunder e dominuan që nga sekonda e parë e deri në atë të fundit sfidën e Cheseapeake Energy Arena duke mos e vendosur asnjëherë në diskutim fitoren. Mori fund ndaj Oklahomës ëndrra e tifozëve të San Antonio Spurs për të fituar një tjetër titull në NBA. Skuadrës së Gregg Popovich tashmë nuk i mbetet gjë tjetër vecse të provojë gjithcka nga e para sezonin e ardhshëm. Ishte thjeshtë i mrekullueshëm mbi parket Kevin Durant me yllin e Oklahomës që përpara tifozëve të tij koleksionoi në total 37 pikë, 9 rebound dhe 2 asist.
Një paraqitje fantastike dhuroi edhe Mvp-ja i All Star Game gjatë dy viteve të fundit, Rusell Westbrook i cili e mbylli ndeshjen me 28 pikë 12 asist dhe 3 rebound. San Antonios në krahun tjetër nuk i mjaftuan 59 pikët e realizuara nga treshja, Leonard-Duncan-Aldridge. Do të jetë një finale e gjitha për të shijuar ajo e Konferencës së Perëndimit mes City Thunder dhe Warriors pasi nga njëri krah do të jenë Durant, Westbrook e Ibaka ndërsa në anën tjetër, Curry, Thompson , Green e Livingston. Me kaq shumë yje në parket e sigurtë është që spektakli që di dhurojë vetëm NBA nuk do të mungojë për asnjë moment. /supersport.al
●●●
DGSHKRIMI NGA
Donika Gashi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.