Ekspozitat janë instaluar. Artistët kanë ardhur. Qyteti i Venecias është i përgatitur për të mirëpritur turmat e vizitorëve nga e gjithë bota.
Kështu e nis shkrimin gazeta e madhe amerikane, “
The New York Times” për hapjen e Bienales së Venecias, e cila zyrtarisht u bë të enjten.
Bienalja e Venecias 2024, që ka mbledhur më shumë se 330 artistë pjesëmarrës nga rreth 90 vende të shpërndara në të gjithë qytetin, do të hapet për publikun të shtunën.
Gus Powell, një fotograf për “The New York Times”, ka dalë në terren duke mbuluar spektaklin që e bën Bienalen një nga ngjarjet kryesore në kalendarin global të botës së artit.
Në mesin e pjesëmarrësve është edhe ekipi i Kosovës me veprën “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”.
Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” është vepër e artistes Doruntina Kastrati dhe kuratorës Erëmirë Krasniqi, që sivjet përfaqësojnë Pavijonin e Republikës së Kosovës në Venecia.
NYT e ka përfshirë edhe instalacionin e Kosovës përmes një fotografie me një mbishkrim: “Një përqafim mes instalacionit skulpturor ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’, në pavijonin e Republikës së Kosovës”.
[caption id="attachment_2290001" align="alignnone" width="828"]

NYT shkrim për Bienalen e Venecias, përfshin dhe Pavijonin e Kosovës[/caption]
Në Biennalen e Venecias të enjten është inauguruar Pavijoni i Kosovës për edicionin e radhës të një prej ngjarjeve më të mëdha të artit në botë.
Në njoftimin e lëshuar nga Pavijoni i Kosovës thuhet se vendi përfaqësohet me instalacionin skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, i artistes Doruntina Kastrati.
Kjo adreson çështjen e punës së feminizuar brenda kontekstit të ekonomive të parregulluara. Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë.
Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.
Tutje, në njoftim thuhet se për shkak të natyrës së përsëritur dhe performimit të punës në këmbë në një fabrikë llokumesh në Prizren, pothuajse një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit me proteza metalike. Metali që iu futet në trup mbetet gjurmë e orareve të gjata të punës, me pagesë të ulët, të grave në industritë e lehta, në Kosovë dhe botë. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.