Numri i të rriturve me hipertension, në të gjithë botën është dyfishuar gjatë 30 vjetëve të fundit, ku shumica e këtyre rasteve janë shfaqur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sipas një studimi të botuar në revistën “The Lancet”.
Ekipi ndërkombëtar i studiuesve, analizoi matjet e presionit të gjakut në më shumë se 100 milionë njerëz të moshës 30-79 vjeç, të marra gjatë tre dekadave në 184 vende.
Sipas këtij studimi, u zbulua se numri i njerëzve me hipertension u rrit nga rreth 331 milionë gra dhe 317 milionë burra, sa ishin në vitin 1990, në 626 milionë gra dhe 652 milionë burra, në vitin 2019, përcjell Klankosova.tv
Pavarësisht se ishte relativisht e lehtë për t'u trajtuar me ilaçe me kosto të ulët, gati gjysma e njerëzve me hipertension në të gjithë botën. në vitin 2019 nuk ishin në dijeni të gjendjes së tyre, kanë thënë studiuesit.
Gjithashtu më shumë se gjysma e grave (53 përqind) dhe burrave (62 përqind) me këtë gjendje nuk u trajtuan, thanë ata.
"Pavarësisht përparimeve mjekësore dhe farmakologjike gjatë dekadave, përparimi global në menaxhimin e hipertensionit ka qenë i ngadaltë dhe shumica dërrmuese e njerëzve me hipertension mbeten të patrajtuar, me disavantazhe të mëdha në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, ka thënë profesori Majid Ezzati, autori i këtij studimi.
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek shëndet dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.