Lajmet e fundit

Ekziston superinteligjenca, por a ekziston mundësia e superurtësisë?
Koncepti i urtësisë është edhe më i turbullt se sa koncepti i inteligjencës të cilin kur e lexoni për së afërmi është mjaft multi-dimensional dhe jo aq i dukshëm. Por nuk mendoj që çfarëdo nocioni të caktuar - në çfarëdo mase që ne e kemi në kokë - kur flasim për urtësinë, që inteligjenca artificiale të mos mund ta ketë më shumë se ne. Nuk e di se sa shumë urtësi kemi. Mendoj që si civilizim njerëzor, nganjëherë mund të ekzistojë një efekt i pragut; unë e quaj pragu i mendjes së shëndoshë, ku civilizimet që janë mbi atë prag në nivel kolektiv të urtësisë, ndonëse mund të kenë ide të gabuara, anësi dhe të meta të mëdha, e kanë megjithatë aftësinë e mjaftueshme për të reflektuar mbi veten e tyre dhe që eventualisht mund t’i identifikojnë dhe studiojnë problemet e tyre, e që pastaj mund të propozojnë zgjidhje, në mënyrë që civilizimi që ndodhet mbi pragun e mendjes së shëndoshë mundet që me kohë, me burimet që i ka në dispozicion, të konvergojë drejt niveleve më të mëdha të urtësisë. Ata gradualisht ia arrijnë të organizohen siç duhet, përderisa civilizimet nën këtë prag hipotetik mund të shkojnë drejt niveleve të çmendurisë që janë në rritje. Ata fiksohen pas një niveli apo forme të caktuar të ekstremizmit apo fanatizmit, dhe pastaj disi e largojnë aftësinë për vetëkritikë. Mendoj që është një pyetje e hapur se a është civilizimi ynë njerëzor mbi apo nën këtë prag të urtësisë. Mendoj që jemi me shumë gjasë goxha afër tij.
Pse është aq e rëndësishme që të mos e antropomorfizojmë superinteligjencën? A mundet superinteligjenca që të sjellë supervizilizim, por njashtu edhe superbarbarizëm
Mendoj që të gjitha mendjet njerëzore kanë tipare të shumta të përbashkëta. Ne i përkasim species së njëjtë, me të njëjtën histori të evoluimit, dhe jetojmë në një botë që - ndonëse ka dallime midis shtetesh - prapë ofron gjëra shumë të përbashkëta. Ne kemi një lloj mishërimi fizik ku arrijmë të lëvizim poshtë e lartë si objekte të madhësisë mesatare, dhe ecim çdo ditë, e të tjera, e të tjera. Ndërkaq një Inteligjencë Artificiale mund ta ketë një arkitekturë ndryshe, mund të ketë përvoja shumë të ndryshme. Nëse e çoni tërë jetën tuaj duke analizuar trilionë shenja tekstesh pa ndërvepruar kurrë me botën fizike, atëherë kjo është një botë shumë e ndryshme e përjetimit se sa cilado përvojë që e ka pasur ndonjë njeri, dhe ka shumë mënyra të tjera përmes së cilave Inteligjenca Artificiale mund të jetë po ashtu shumë ndryshe nga çfarëdo përjetimi i njerëzve. Prandaj, ka shumë mënyra në të cilat Inteligjenca Artificiale mund të jetë shumë ndryshe po ashtu, prandaj ne nuk duhet që në mënyrë automatike të supozojmë që përgjithësimet dhe modelet që i gjejmë në shkallë të gjerë te mendjet njerëzore domosdo do të jenë të pranishme edhe në Inteligjencën Artificiale. Ata mund të jenë shumë, shumë të huaj krahas nesh. Prandaj, kjo është vërejtja mbi antropomorfizimin e inteligjencës artificiale.
Vulneti njerëzor dhe “vullneti” i superinteligjencës? Si mund të krahasohen?
Kjo lidhet prapë me pyetjen paraprake ku mendoj që variantet e vullneteve të mundshme që Inteligjencat Artificiale mund t’i kenë janë shumë më të gjera se sa variantet e vullneteve njerëzore ku, sigurisht, njerëz të ndryshëm duan gjëra të ndryshme, e që megjithatë ne shohim modele shumë të zakonshme të njerëzve, ta zëmë të atyre që janë vetjakë, të njerëzve që nuk duan të fyhen, të njerëzve që kujdesen për fëmijët e tyre më shumë se për të huajt. Këto janë modele shumë të shpeshta njerëzore, ndoshta jo universale, por 99.9 për qind e njerëzve me shumë gjasë i ndajnë këto në shkallë të ndryshme. Por, nuk ka asgjë që e parandalon Inteligjencën Artificiale nga të qenët e inxhinieruar me një set të ndryshëm motivimesh. Prapë, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i antropomorfizojmë këto sisteme, e që do të ishte diçka e arsyeshme për ta supozuar kur bëhet fjalë për një njeri që nuk e njeh mirë, e që mund të mos jetë e aplikueshme fare në rastin e Inteligjencës Artificiale. Për më tepër, njerëzit vijnë në këtë botë ashtu siç janë, dhe pastaj kultura dhe prindërit e tyre disi e formojnë vullnetin dhe personalitetin e tyre deri në një masë, por ata sikur ia nisin të vetëm, me natyrën dhe personalitetin e tyre intrinzik. Përderisa, me Inteligjencën Artificiale ne mund të kemi kontroll më të detajuar mbi atë se çfarë veçanërisht sistemi i Inteligjencës Artificiale është krijuar për të optimizuar. Prandaj, vullnetet e Inteligjencës Artificiale, në veçanti në masën që ne e zgjidhim problemin e rreshtimit, mund të bëhen një produkt i një përpjekjeje të inxhinierimit për dallim nga diçka që është e dhënë.
Si ka ndikuar rritja e superinteligjencës që ju t’i rikonsideroni bindjet tuaja?
Mendoj që kjo kombinohet me konsiderimet e mia të tjera të ndryshme. Për shembull, e kam argumentin e simulimit dhe një sërë mendimesh të tjera. Mendoj që rezultati i kësaj është që ndiej një shkallë më të madhe të përulësisë për sa i përket asaj se sa të vegjël jemi, dhe se sa shumë gjëra mund të jenë duke ngjarë në qiell e tokë dhe për të cilat as që ia kemi haberin, dhe njashtu në të kuptuarit se sa në errësirë jemi në lidhje me konsiderimet thelbësisht dhe strategjikisht vendimtare. Para kësaj, ne mund ta kishim menduar që në fakt e kemi kuptuar, dhe janë ta zëmë këto demokracitë kapitaliste liberale, apo sikur shkenca e ka zbuluar, apo historia materialiste, që ne kemi evoluuar kësisoj, e lloj-lloj…dhe që ne mundemi disi ta sintonizojmë këtë ide bazike, mirëpo ne e kemi kuptuar strukturën elementare - mendoj që kjo ka qenë një pikëpamje e shpeshtë në dekadat e shkuara që disi njerëzit e mirë-arsimuar perëndimorë e kanë marrë. Mirëpo, mendoj që sa më shumë që mendojmë për këtë gjë, aq më bizare bëhet ajo që ne e konsiderojmë normale se si qëndrojnë gjërat. Vetëm prej një pikëvështrimi historik e kuptoni se sa e re është gjendja njerëzore, dhe pastaj mendoni për epokat përpara, se sa bizare do të dukej kjo në miliona vitet e ardhshme. Por pastaj, kur i keni parasysh zhvillimet afatshkurtra të këtyre teknologjive transformative, ju e kuptoni që nuk ka pse të jetë çështje e miliona viteve, e as qindra sosh, por mund të jetë çështje e një numri vitesh apo dekadash para se të arrijë ky cunami. Prandaj, po, në mënyra të ndryshme mendoj që ne po jetojmë në këtë vend disi të pazakontë, në hapësirë dhe kohë, shumë afër një pike kthese të madhe të historisë, por ku me gjasë ekzistojnë forca më të mëdha në lojë, e për të cilat e kemi idenë më të vagët.
E ardhmja e kreativitetit dhe intuitës njerëzore në epokën e superinteligjencës
Mendoj që edhe Inteligjencat Artificiale që i kemi sot janë mjaft interesante si mjete që mund t’ua mundësojnë njerëzve kreativë që të bëjnë gjëra të reja, ose që t’i bëjnë më lehtë gjërat që kërkonin shumë më shumë burime para se t’i kishim këto inteligjenca artificiale që gjenerojnë imazhe, apo inteligjencat artificiale që gjenerojnë video; apo efektet grafike kompjuterike që pesë vjet më parë u kushtonin miliona dollarë studiove të Hollivudit e që tani janë më afër duarve të personit mesatar. Pra ne jemi disi shumë afër që t’i sjellim këto mjete kreative për të cilat mendoj që njerëzit kreativë do të gjejnë shumë mënyra për t’i përdorur. Dhe kjo vlen jo vetëm për gjendjen e kreativitetit vizual, por edhe për atë të muzikës dhe shumë fushave të tjera gjithashtu. Më ngazëllyese është ndoshta shpresa që kjo disi mund ta përmirësojë urtësinë tonë kolektive, dhe aftësinë që si shoqëri ta gjejmë të vërtetën dhe të mendojmë në mënyrë konstruktive për të duke i pasur këto sisteme të Inteligjencës Artificiale që na ndihmojnë në analizimin e informacioneve, dhe që na i shpjegojnë ato. Ju mund të imagjinoni sisteme të personalizuara tutoriale, asisoj që në vend që të kemi një klasë shkolle me 60 apo 30 fëmijë, dhe mësuesi të kalojë nëpër materialin e njëjtë për secilin prej tyre, ju mund të keni sisteme të individualizuara për secilin fëmijë, dhe ku secilit fëmijë mund t’i shpjegohet pika në të cilën ai ka ngecur, dhe kjo mund ta bëjë të nxënit më efikas. Mendoj që në anën tjetër ka mënyra të ndryshme në të cilat ju mund ta shihni potencialin e këtyre mjeteve të Inteligjencës Artificiale për ta korruptuar hapësirën publike dhe diskursin njerëzor me propaganda të automatizuara, me forma të automatizuara të mbikëqyrjes, manipulimit dhe censurës. E gjithë kjo mund t’i arrijë ekstremet kur keni këso modele të mëdha të efektshme të gjuhës që arrijnë t’i kuptojnë të dhënat njerëzore dhe pastaj t’ua përshtatin individëve të caktuar.
Si do të dukej një botë pa njerëz por me superinteligjencë, nëse guxoni ta imagjinoni?
Një botë me superinteligjencë, por ku nuk ka njerëz? Mendoj që ka disa faktorë të jashtëm për të cilët mund të krijojmë mendime të mundshme. Janë ata që i kam quajtur arsye instrumentale konvergjente për një rang të gjerë qëllimesh të ndryshme që mund të jenë disi nën-qëllime që do të mund të ndiqeshin. Këto ngërthejnë përvetësimin e më shumë burimeve, zhvillimeve teknologjike, zhvillimeve të mëtutjeshme në zonën e inteligjencës së IA-së, mbrojtjen e vetes kundër gjerave që do t’ia shkatërronin, korruptonin apo ndryshonin qëllimet. Sepse del që për një rang të gjerë qëllimesh të ndryshme përfundimtare, këto do të ishin shumë të dobishme si mënyra drejt arritjes së tyre. Në këtë skenar, ju mund ta shihni tokën që transformohet në një komputronium si materie e optimizuar për performancën e kompjutimit, dhe për instalimet e lansimeve hapësinore për dërgimin e sondave vetë-kopjuese, hapësirë-kolonizuese në të gjitha drejtimet. Ky do të ishte një skenar nëse nuk do të kishte njerëz dhe nëse Inteligjenca Artificiale do të ishte vetëm duke e optimizuar tokën për çfarëdo qëllimi që do ta kishte. Mirëpo realisht, kjo do të ishte disi vetëm çfarë do të mund të dinim nga jashtë – sepse çfarë ndodh brenda, apo cili do të ishte qëllimi që Inteligjenca Artificiale realisht do ta ndiqte, çfarë do të përjetonte, çfarë do të ngjante në këtë mendje enorme, kjo është diçka për të cilën është shumë më e vështirë për ne që ta kemi ndonjë ide intuitive.
Cila është perspektiva më optimiste e juaja e jetës sonë me superinteligjencën?
Mendoj që nëse gjërat shkojnë mirë, kjo do të ishte gjëja më e mirë që ka ndodhur ndonjëherë deri më tani. E mira e kësaj është në mënyrë të paimagjinueshme e madhe. Ekziston një pjesë e saj që është relativisht e lehtë për ta imagjinuar e që është heqja e shumë gjërave negative që po e pllakosin gjendjen njerëzore për momentin. Kemi njerëz që po vdesin nga kanceri, njerëz që janë në varfëri ekstreme, njerëz që duhet të shkojnë përditë për tetë orë që ta kryejnë një punë mendje-lodhëse dhe bajate e cila nuk i kënaq dhe vetëm i streson. Kemi sëmundje mendore, kemi dhimbje dhe frustrime të vogla të përditshmërisë si dhimbjet e stomakut, kokë dhimbjet, bajatllëkun, dhe të gjitha këto gjëra që sjellin shumë mërzi mbi atë se si është të jetosh një jetë njeriu aktualisht. Të gjitha këto mund të largohen me një teknologji të pjekur të cilën mund ta zhvillojë superinteligjenca. Prandaj, vetë ky lehtësim i vuajtjes te njerëzit, e me shpresë edhe te kafshët, si i vetëm do të ishte me plot kuptimin e fjalës përtej besimeve tona për sa i përket asaj se sa i dëshirueshëm dhe i mirë do të ishte. Pra mendoj që mbi të gjitha qëndron potenciali për të krijuar gjëra të reja pozitive po ashtu. E kjo është më e vështirë për ta imagjinuar sepse imagjinojeni sikur miliona vite më parë një grup shimpanzesh kanë qenë të ulur, dhe kanë qenë duke hamendësuar sikur të evoluonin në qenie njerëzore, dhe nëse do të bëheshin njerëz, atëherë do të mund të kishin një numër të pakufizuar të bananeve për të ngrënë sepse do të mund ta kishin agrikulturën. Dhe është e vërtetë, tani kemi banane sa të duam, por ekzistojnë shumë më shumë gjëra rreth gjendjes njerëzore se sa kaq. Ne e kemi muzikën, artin, poezinë, futbollin, shkencën, dashurinë romantike, humorin, dhe të gjitha këto vlera të shtuara do të ishin të pamundura që një majmun t’i kuptonte. Ngjashëm mendoj tani, nëse ne mundohemi që ta kemi një imazh se çfarë mund të ngërthejë ky zhvillim i suksesshëm i superinteligjencës si puna e të pasurit më shumë banane – mund t’i kemi kurat e kancerit, dhe të kemi bollëk të materialeve, dhe të kemi ushqim për të gjithë, ambient të pastër – mirëpo me shumë gjasë ka shumë më tepër se kaq, e që ne as që mund ta imagjinojmë.
https://www.youtube.com/watch?v=BAFC-inUB6A