Çdo votë e secilit qytetar është letër me vlerë. Është një valutë politike.
Në tërësinë e tyre, në përbashkësinë e tyre, këto vota pastaj bëjnë një investim të qytetarëve të Kosovës në një pushtet të përbashkët, i cili vlen për të gjithë, dhe i cili ka një fuqi të madhe që del nga legjitimiteti i popullit.
Si edhe në ekonomi, ashtu edhe më politikë, përdorimi pa karar dhe pa mbulesë i valutës/ votës, sjell devalvimin e saj apo zhvlerësimin, humbjen e fuqisë blerëse, inflacionin, tatëpjetën së cilës nuk i shihet fundit.
Natyrisht, e tëra kjo situatë, si në financa/ ekonomi, ashtu edhe në politikën e një vendi, sjell shqetësim dhe pasiguri tek qytetarët.
Megjithatë, në politikë është një fenomen që nuk gjendet dot në financa dhe ekonomi.
Teksa qytetarët nuk kanë si mos të preokupohen me mbijetesën e tyre financiare, në rastin e politikës mund të shfaqet një dukuri që fillimisht bashkon pakënaqësinë dhe indinjatën, për të evoluar pastaj në asnjanësi dhe apati, të cilat shfaqen në formë të abstenimin të votuesve.
Kjo ndodhë ose kur më qytetarët nuk besojnë që me këtë letrën e tyre me vlerë mund ta ndryshojnë vlerën dhe cilësinë e politikës në vendin e tyre, ose kur skena politike, me veprimet e veta, degradohet aq shumë, saqë mendimi që mbizotëron në këto raste është që nuk ia vlen të shkohet fare në qendra të votimit.
Demokracia në një vend mund të rrezikohet gjithqysh. Këtë po e shohim edhe tek shtetet më të zhvilluara në Botë. Ama kudo, kërcënimi më i madh për te, është kur apatia politike merr përmasa të tilla të cilat dobësojnë tej mase vullnetin e qytetarëve për të qenë pjesë e rrjedhave politike në vendin e tyre, para dhe mbi të gjitha përmes votimit.
Duket se Kosova është vetëm disa hapa (për të mos thënë vetëm një hap), larg një situate të këtillë.
Mundësia që sërish, brenda pak muajve, të përballemi me zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare në vend, po përcillet, siç po e marrim vesh të gjithë ne që jetojmë këtupari, me mosbesim, me pakënaqësi, me indinjatë madje.
Pushteti në demokraci është burim i fuqisë politike, ekonomike, financiare. I organizimit të një shoqërie. I ofrimit dhe garantimit të sigurisë dhe stabilitetit, në të gjitha format e saja.
Pushteti është fytyra e shtetit. Është pjesë e pandashme e identitetit të shtetit.
Tek ne, për shkaqe të njohura për të gjithë, tash e mbi një vit, skena politike është burim i pafuqisë dhe i pasigurisë politike, është prodhues i vazhdueshëm i problemeve të cilat përherë e më shpesh po marrin trajtën e krizave politike.
Ishim të bindur, kështu naiv si jemi, që rrëfimi i vitit të kaluar ka marr fund dhe që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, do të jemi dëshmitarë të një politike pak a shumë normale, relativisht të parashikueshme, ku edhe ne si qytetarë nuk do të detyrohemi të merremi me politikë në baza ditore.
Çfarë ndodhi në këto javët e fundit, në ndërmarrjen e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, i bëri hi dhe pluhur (si thuhet), këto pritjet tona.
Gjërat në këtë politikën tona, nga kjo perspektiva e qytetarëve të zakonshëm, duken fare të thjeshta dhe të zgjidhshme. Është pra e mundshme të gjinden kandidatë për presidentë që janë më pak apo më shumë të pranueshëm për partitë politike. Tek e fundit, a ia vlen barra qiranë që për shkak të një posti i cili megjithatë nuk ka në vete një fuqi të mirëfilltë politike, të prishet edhe një legjislaturë (e dhjeta), dhe të shkohet edhe një herë në zgjedhje?
Pastaj, kush këtu mund të garantojë që pas zgjedhjeve të reja parlamentare, në dy-tre muajt e ardhshëm, do të krijohet një situatë më e volitshme, kur flitet për përbërjen e Kuvendit të ri, për zgjedhjen e Presidentit, teksa ai numri magjik prej 80 deputetësh (për ta nisur votimin), duket njëlloj i largët si sot, si atëherë.
Edhe kampionatet botërore në futboll po të mbaheshin dy herë në vjet do të bëheshim të mërzitshëm. E lëre më zgjedhjet. Apo jo.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.