Lajmet e fundit

Nita Deda emërohet si Drejtoreshë e Festivalit, DokuFest.
Deda që më parë ka qenë drejtuese e Komunikimit të DokuFest dhe DokuNights, e ka pranuar që të jetë në krye të këtij festivali nga ky vit e më tutje, transmeton Klan Kosova.
Në komunikatën për media të DokuFest, shkruhet se kontributi i saj për këto gjashtë vitet e fundit ka qenë qendror në rritjen dhe suksesin e festivalit.
Deda ka një eksperiencë në prodhimin e filmave, artit, marrëdhënieve me publikun dhe menaxhim.
Ajo ka qenë producente në Producente Atis, koordinatore e projekteve ndërkombëtare në Galerinë Kombëtare të Kosovës, koordinatore e komunikimit të Pavilionit të Kosovës në Bienalen e Venedikut si dhe menaxhere e festivalit SURF në vitin 2011.
Eroll Bilibani, i cili ka qenë Drejtor i Festivalit për katër vitet e fundit, ka marrë rolin e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të organizatës duke u fokusuar në menaxhimin e projekteve vjetore të organizatës dhe zhvillimin e tyre të mëtejshme.
Si drejtoreshë e festivalit, Deda do të drejtojë rritjen strategjike të DokuFest dhe mbikëqyrë iniciativat dhe partneritetet e saj të reja.