“Korça short film fest” ka startuar edicionin e nëntë të tij në qytetin juglindor.
Filmat me metrazh të shkurtër nga dhjetëra vende të huaja dhe shqiptare, do të paraqiten për disa ditë me radhë për publikun artdashës korçar dhe jo vetëm.
“Në total do të shfaqen 72 filma, janë 28 vende të ndryshme të botës që janë selektuar me filmat e tyre. 52 kinematografë të ndryshëm, por edhe një shfaqje speciale me fokus Kosovën, do të shfaqet një program i detajuar nga Doku fest. Synimi është të afrojë të rinjtë në një mënyrë alternative te arti dhe kultura. Për të futur lëndën e filmit në shkollat e mesme, ku filma me metrazh të shkurtër të shihen dhe të analizohen, që në shkollat e mesme”, u shpreh drejtori i festivalit, Gledis Bica.
Eroll Bilibani vjen nga Prizreni, i cili vlerëson festivalin e mbajtur në Korçë ndërkohë që bën thirrje për prodhim të këtyre filmave., shkruan Euronews.al, përcjell Klankosova.tv
“Më bëri përshtypje ngjashmëria e Korçës me Prizrenin, ngrohtësia në qytet, trashëgimia e pasur kulturore dhe ky vend fantastik ku do shfaqen filmat. Forma e filmit të shkurtër është një formë shumë interesante për të treguar rrëfimet e thjeshta, tregime të shkurtër, që mund të ndihmojnë filmbwrwsve të tregojnë aftësitë e tyre”, tha ai.
Një tjetër kinematograf francez tregon mesazhin e filmit të përgatitur prej tij.
“Ne do të shohim disa filma në fakt, ende nuk e dimë mesazhet e tyre, por filmi që unë kam përgatitur në Francë kërkon të promovojë kreativitetin dhe marrjen përsipër të rreziqeve për problemet sociale, këtë dua të shfaq edhe këtu”, theksoi Jeremy Laurichesse.
Festivali i filmit me metrazh të shkurtër mbahet çdo verë në Korçë, ndërkohë që në Shqipëri, ende ky lloj filmi nuk është i zhvilluar apo përqafuar nga të rinjtë.
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.