Lajmet e fundit

Ministria e Diasporës e Kosovës në bashkëpunim me ministritë e Kulturës të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si dhe përfaqësitë diplomatike të dy shteteve, në një projekt të përbashkët kulturor të quajtur “Ditët e Kulturës Shqiptare” organizojnë një varg aktivitete në Cyrih dhe Bruksel.
Ministria që drejtohet nga Valon Murati njofton se në Cyrih më 25 nëntor në orën 20:00, do të mbahet koncerti i mezzosopranos, Sanije Matoshi dhe pianisten, Elizabeta Musliun.
Ndërkaq, më 26 nëntor në skenë do ta vë shfaqjen e Teatrit Kombëtar “Gishti”, të regjisorit kosovar Erson Zymberi në të cilën luajnë aktoret: Irena Cahani dhe Teuta Krasniqi edhe kjo me fillim nga ora 20:00.
Nata e tretë 30 nëntori do të sjellë projeksione filmike të metrazheve të shkurta nga Prishtina dhe Tirana të cilat do të fillojnë të shfaqen nga ora 18:00.
Në Belgjikë, përkatësisht në Bruksel do të festohet me këngët etno jazz të artistes sonë të mirënjohur Elina Duni dhe Colin Vallon më 28 nëntor me fillim nga ora 20:00 në Stadasschouëburg-Keizerstraat 3, Mechelen.
Pas këtij koncerti me datën 30 nëntor do të ketë projeksione filmash të metrazhit të shkurtër nga Kosova dhe Tirana që do të vijnë në orën 17:00, ndërsa krejt për fund në po këtë ditë përmbyllën ditët e kulturës shqiptare me shfaqje teatrale “Sikur kjo të ishte shfaqje”.
Poashtu, bëhet e ditur se këto aktivitete do të pasurohen edhe me veshjen e simbolit të qytetit të Brukselit “Maniken Piss” në veshjet tona Kombëtare, iniciativë kjo e bashkatdhetarëve tanë nga Belgjika,bën të ditur Ministria e Diasporës, transmeton Klan Kosova.