Të imagjinojmë pak. Tek e fundit, nuk na kushton gjë. Pra, keni ra në një gjumë të thellë dimëror, atje kah fundi i janarit, dhe jeni zgjuar tash, sërish në dimër, por tani, në dhjetor. Viti është i njëjtë: 2025.
Keni marrë dirigjuesin televiziv dhe nisni t’i shikoni lajmet nëpër kanalet e shumta.
Nisni t’i fërkoni sytë në mosbesim. Juve ju kanë thënë që keni fjetur gati një vit të tërë, por në anën tjetër, krejt çka po shihni në televizor tashmë keni parë dhe keni dëgjuar.
Është një fushatë pothuaj identike për zgjedhjet parlamentare. Ato të parat, e dini, kanë qenë të rregullta, atje në fillim të shkurtit, këto janë të parakohshme, në fund të dhjetorit.
Nuk bindeni dot, edhe pse më të afërmit e juaj ju tregojnë, që ky vit që po e lëmë pas, është harxhuar kot së koti në politikën kosovare.
Në pyetjen e juaj si dhe pse ndodhi kështu, nuk merrni përgjigje të qartë.
Për më shumë, ju thonë që në të vërtetë, është vështirë, në mos edhe e pamundur, të ofrohet një shpjegim domethënës për krejt atë çfarë ka ngjarë në politikën kosovare gjatë këtij viti që meriton të klasifikohet si vit i mbrapsht.
Dhe kur ju i pyesni familjarët e juaj se a do të thotë kjo që zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit do ta kthejnë mbarë këtë politikën kosovare, ata ua kthejnë: Ndoshta po, ndoshta jo. Këtë, askush nuk mund ta garantojë.
Ju atëherë thoni: Paska qenë mirë mos të isha zgjuar fare. Ose, më së miri do të ishte sikur të më zgjoni kur të keni lajme të mira për mua.
Natyrisht, sikur të shkruanim kështu një vit më parë, kur fushata elektorale ishte në përgatitje e sipër, askush nuk do të besonte që diçka e kësisojt është e mundur, apo që midis dy palë zgjedhjeve, të cilat ndryshe do të mbahen brenda vitit, do të përballemi me një hiç të madh politik, i cili do të na lodhë të gjithëve dhe do ta dërrmon (realisht), krejt shoqërinë kosovare.
Për këtë shkak, ka qenë goxha e parashikueshme çfarë po përjetojmë në këtë fushatën e shkurtër për votimet e 28 dhjetorit, të katërtat gjatë këtij viti për shumicën e qytetarëve të Kosovës.
Ata që janë drejtpërdrejtë të përfshirë në këtë fushatë, si kandidat për deputetë të subjekteve politike, po mbërrijnë, praktikisht, tek i njëjti konkludim, pas ballafaqimit me qytetarët që po marrin pjesë në tubimet parazgjedhore: Nuk ka fare entuziazëm, siç kishte pak a shumë, në ato javët që çuan në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nuk ka këtu befasi.
Për qytetarët, premtimi më i mirë, më kryesori, më i rëndësishmi i partive dhe politikanëve tonë do të ishte ky: Mos keni merak, nuk do të përsëritet situata pas zgjedhjeve të kaluara, nuk do të ketë zvarritje në procesin e krijimit të institucioneve të pushtetit qendror, do të krijohet shpejt Kuvendi i Kosovës, do ta formojmë më pas Qeverinë qendrore, më në fund, do ta zgjedhim edhe Presidentin/ Presidenten e Kosovës.
Të gjitha këto do t’i bëjmë deri kah fillimi i muajit mars të vitit 2026.
Nuk do të ketë më telashe politike, nuk do të ketë krizë buxhetore (të paralajmëruar), nuk do të ketë më përplasje të shumta.
Por, këtë premtim është vështirë ta bësh, edhe më vështirë ta mbash. Dihet pse.
Do të ishte befasi e dorës së parë nëse rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të radhës do të jenë thelbësisht ndryshe prej atyre të para njëmbëdhjetë muajve.
Faji për të gjitha pështjellimet politike gjatë këtij viti, të cilat ishin të paprecedent në Kosovë që prej se kemi demokraci parlamentare, ka mbetur jetim.
Po të ishte ndryshe, kjo me siguri do të reflektohej edhe në rezultatet finale të këtyre zgjedhjeve, të cilat pastaj, do ta prodhonin një formulë më të prerë të themelimit të pushtetit qendror.
Mbase, të gjithë ne dhe politika e vendit ka nevojë për një Babadimër që do ta sillte qartësinë politike dhe lajmet e mira të cilat aq shumë na duhen.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.