Në romanin ‘Posta’ të Charles Bukowskit, i cili, si të gjitha veprat e tjera të këtij autori shumë të veçantë amerikan ka elemente autobiografike, në një episod të tij, shefi i tij në postë, ku punon ky, e përjashton nga puna.
Në dialogun që zhvillohet në mes tij dhe punëdhënësit, ky i fundit, në arsyetimin për një veprim të këtillë i thotë që po e bën këtë sepse nuk i ka dhënë gjë prej gjëje gjatë punës së tij.
Por, Henry Chinaski (që është alter ego letrar në të gjitha veprat letrare të Bukowskit), ia kthen me mllef punëdhënësit të tij, duke i thënë: Ta kam dhënë gjënë më të vlefshme që e ka njeriu: kohën time.
Bukowski, si edhe në shumë gjëra të tjera në rrëfimet e tij, ka plotësisht të drejtë.
Për njeriun, por edhe për shoqërinë njerëzore, për shtetin, nuk ka gjë më të çmueshme se koha.
Me 5 nëntor të këtij viti, bëhen tre vjet të plota që prej se janë arrestuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçi, ish-Presidenti i Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, te dytë ish-Kryetar të Kuvendit të Kosovës dhe Rexhep Selimi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Si qëndrojnë punët tani, koha që do të duhet të kalojë për përmbylljen e gjykimit ndaj tyre, nuk matet me muaj por me vite të tëra.
Në dhjetor të këtij viti, bëhen 13 vjet të plota që nga publikimi i Raportit të Dick Martyt, i cili fillimisht shërbeu si bazë për hetimet e bëra nga Clinti Williamson. Ky, në verën e vitit 2014 do ta shpallte Raportin e tij, i cili pohonte që Aktakuzat janë bërë gati, dhe që vetëm duhet të formohet Gjykata Speciale për t’i trajtuar të gjeturat e tij që penalizonin kryesit e veprave të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Një vit më pas, në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës do ta përligjte, me amandamentet kushtetuese dhe me Ligjin e veçantë, këtë kërkesë të Williamsonit.
Megjithatë, gjykimi i të akuzuarve për krimet e pretenduara, do të niste gati tetë vjet të plota pas këtij vendimi të Kuvendit të Kosovës, teksa nga Raporti i Dick Martyt, nuk ka mbetur gjë prej gjëje as në Aktakuzën e Prokurorisë Speciale, dhe as në vet gjykimin e deritashëm.
Zoti e di edhe sa vite do të kalojnë, edhe sa kohë e Kosovës, e shoqërisë kosovare dhe e shtetit të Kosovës do të konsumohet, derisa të përmbyllet i gjithë ky rrëfim, kur dihet që nuk ka afat të skadimit të Dhomave të Specializuara.
Nuk ka dhe nuk mund të ketë rrjedhë normale të kohës kolektive të shqiptarëve të Kosovës, pa i rënë në fund punës së Dhomave të Specializuara.
Në marsin e vitit të ardhshëm (2024), bëhen 13 vjet që prej se në Bruksel, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, kanë nisur bisedimet në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Në majin e vitit tjetër, do të mbushen hiç më pak se 26 vjet që prej se Kosova dhe Serbia janë të përfshirë të negociata dhe bisedime.
As sot e kësaj dite, nuk ka shenja të qarta dhe premtuese që këto bisedime do të rezultojnë në një të ardhme të afërt, me një Akord i cili një herë e mirë do të mbërrinte në epilogun e një kontesti historik në mes të Kosovës dhe Serbisë, që nisi në nëntorin e vitit 1912, kur Kosova u okupua nga Serbia.
Në shkurtin e vitit 2024, do të bëhen 16 vjet të plota që prej se kur Kosova u shpalll shtet i pavarur.
Askush këndejpari, dhe për më pak, në kryeqendrat perëndimore, nuk e di edhe sa kohë do të kalojnë derisa Kosova të arrinë një njohje universale, duke u bërë shtet anëtar i OKB-së, i Aleancës Veri-Atlantike, i BE-së, duke siguruar në këtë mënyrë qëndrueshmërinë afatgjatë.
E gjithë kjo kohë kolektive e harxhuar e Kosovës, në të gjitha rastet e përmendura më parë, të bën të konkludosh që të gjithë neve që jetojmë këndejpari, na janë marrë vite dhe decenie të tëra të jetës teksa kush nuk di se si do të marrin fund të gjitha këto kallëzime që na bëjnë neve, këtë shoqëri dhe këtë shtet, të ndihemi si pengji.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.