Këtë vit, elita e basketbollit kosovar po merr vëmendje të madhe, me dramat dhe kënaqësinë që po sjellin ekipet, me ndeshjen e fundit mes Trepçës dhe Pejës që e dëshmoi një gjë të tillë.
Mbi 4 mijë shikues në palestër, rreth 10 mijë kërkesa për bileta dhe drama fantastike basketbollistike e cila u vendos vetëm pas dy vazhdimeve.
AsistiOnline ka sjellur disa nga ndeshjet më të bukura që mbahen në mend ndonjëherë, duke filluar nga më e fundit mes Trepçës dhe Pejës, transmeton Klankosova.tv.
12 MAJ 2022 TREPÇA – PEJA 107:105 (84:84; 95:95)
Klasikja e basketbollit kosovar Trepça – Peja përgatiti shfaqje fantastike basketbollistike dhe dramë e cila pa asnjë dyshim hyri në historinë e basketbollit kosovar si një prej super-ndeshjeve që nuk do të harrohen kurrë.
Dueli i dytë i serisë gjysmëfinale të Artmotion Superligës fituesin e përcaktoi vetëm pas dy vazhdimeve me Trepçën e cila triumfoi pas një lufte të madhe dhe pasi 4 lojtarë nga pesëshja startuese u larguan nga loja për shkak të 5 gabimeve personale (Cockfield, Hot, Hajrizi dhe Gordon) kurse i pesti ishte Samir Zekiqi, lojtari i gjashtë apo rezervisti më i mirë sivjet.
https://www.youtube.com/watch?v=_9SHOBNyd6c&t=3s
Trepça – Peja mund të cilësohet si një prej ndeshjeve më të mira në historinë e basketbollit të Kosovës, i cili ka pasur ndeshje të ngjashme “të çmendura” dhe atë hiç më pak se në edicionin e sivjetmë kur Peja edhe një herë ishte pjesë e trilerit fantastik të përballjes me Golden Eagle Yllin në Therandë, me 31 Tetor 2021. Në kuadër të Artmotion Superligës dhe Ligës Unike kjo ndeshje vlerësohej për të dyja garat, therandasit dhe pejanët dërguan duelin në dy vazhdime dhe ngjashëm sikurse në ndeshjen Trepça – Peja, ishin treshet ato të cilat siguruan që Ylli dhe Peja të shkojnë në dy vazhdime.
31 TETOR 2021 GOLDEN EAGLE YLLI – PEJA 93:92 (71:71;84:84)
Gëzim Morina, i cili gjatë 39 minuta e 56 sekondave të lojës së rregullt realizoi vetëm 2 pikë, në fund doli të jetë hero i Golden Eagle Yllit, me treshen në sekondën e fundit, e cila barazoi rezultatin (71:71) dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime ku nga ana tjetër, ishte Sami Hajzeri ai i cili për 44 minuta e 56 sekonda qëndroi në bankën rezervë dhe porsa hyri në lojë, në kontaktin e parë me top, qëlloi trepikëshin e “trentë” me tabelë dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdimin e dytë (84:84) ku figurë tragjike për Pejën doli të jetë kroati Henrik Shirko, njëra prej shtyllave kryesore të skuadrës në atë triler por i cili në 11 sekondat e fundit u ngatërrua dhe u vonua në realizimin e sulmit duke e huq tentimin nga distanca e madhe dhe në fund, Golden Eagle Ylli arriti fitoren me rezultat maksimalisht minimal 93:92.
https://www.youtube.com/watch?v=-9BcC7g3JFE
27 SHKURT 2021 TREPÇA – PONTE PRIZRENI 116:114 ( 89:89 ; 98:98 )
Trepça ka fituar maratonën dramatike ndaj Ponte Prizrenit në kuadër të xhiros së 20 të Superligës me rezultat 116:114, ku fituesi u përcaktua pas dy vazhdimeve.
Në këtë përballje, Ponte Prizreni pati epërsi maksimale deri në 13 pikë, ndërsa Trepça e arriti atë prej + 9. Pas 40 minutave dueli ishte baras 89:89, kurse shtesa e parë përfundoi me 98:98, për të shkuar në vazhdimin e dytë ku adrenalina në ‘Minatori’ arriti maksimumin dhe Trepça falë 12 pikëve të ish plejmejkerit Ivan Koljeviqit triumfoi me rezultat 116:114. /AsistiOnline.com
●●●
RSHKRIMI NGA
Ramushi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.