Të premten, me fillim nga ora 20;45, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parafundit të Grupit 2 në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Kundër Rumanisë, Kosova kërkon fitore bindëse në mënyrë që të mund ta arrijë vendin e parë në grup.
E në Bukuresht, atje ku do të zhvillohet ky takim, po merren masa rigoroze që gjithçka të shkojë për së mbari, raporton Klankosova.tv.
Ka një kohë që futbollistët rumunë kanë nisur një fushatë ku po kërkojnë nga fansat e tyre që të sillen me përgjegjësi dhe të mos bëjnë provokime e të mos shfaqin mesazhe politike.
Veç kësaj fushate, edhe xhandarmëria rumune duket se e ka marrë seriozisht këtë përballje.
Vetëm një ditë para ndeshjes në “National Arena”, xhandarët e Bukureshtit kanë lëshuar një komunikatë përmes së cilës u kanë thënë mbështetësve të mos shfaqin mesazhe kundër mysafirëve.
“Për këtë ndeshje futbolli, për arsye të sigurisë, do të merren masa shtesë për të kontrolluar veturat dhe njerëzit, në mënyrë që të parandalojmë futjen në stadium si mjetet piroteknike, ashtu edhe objekte tjera të ndaluara nga korniza rregulluese që është në fuqi”, thotë ndër të tjera xhandarmëria rumune, sipas "digisport.ro".
Thuhet po ashtu se shikuesit janë të obliguar që të bashkërendohen në mënyrë strikte me masat e caktuara nga organizatori dhe nga agjencitë ligj-zbatuese.
“Në të njëjtën kohë, u rekomandojmë mbështetësve të mos përfshihen në incidente që mund të çojnë në prishjen e rendit dhe qetësisë publike, duke u distancuar nga çdo formë e agresionit verbal apo fizik që mund të çojë në manifestime të dhunshme, duke përmendur se çdo shkelje e dispozitave ligjore në fuqi do të sanksionohen me vendosmëri nga organet ligjzbatuese. Kështu, ata që kryejnë veprime antisociale do të identifikohen aty për aty ose pas ndeshjes sportive për t'u sanksionuar sipas kuadrit ligjor në fuqi”.
Sipas dispozitave ligjore në fuqi në Rumani, “shikuesve nuk u lejohet të marrin pije alkoolike, materiale piroteknike të ndaluara me ligj apo objekte tjera që mund të rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në këtë garë sportive”.
Njoftimi i xhandarmërisë franceze thekson edhe dispozitën ligjore që ndalon “organizatat dhe simbolet me karakter fashist, racist ose ksenofobik dhe promovimin e kultit të personave fajtorë për kryerjen e krimeve kundër paqes dhe njerëzimit”, raporton Klankosova.tv.
Kështu, thuhet se “ndalohet nxitja e urrejtjes kombëtare, racore ose fetare, diskriminimi dhe krimet kundër paqes dhe njerëzimit”.
Në konferencën për media para ndeshjes, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, tha se do të hyjnë në këtë përballje për fitore.
Pas Rumanisë, Kosova kthehet në “Fadil Vokrri” për të zhvilluar edhe përballjen e fundit me Lituaninë, më 18 nëntor. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.