Lajmet e fundit

Në Nba ishte mbrëmja e skuadrave vendase. Toronto Raptors dhe Atlanta Hawks me fitoret që arritën mbi parketin e tyre morën avantazhin në serinë e cerekfinaleve të Konferencës së Lindjes, respektivisht ndaj Indiana Pacers dhe Boston Celtics. Sfida më e rivalizuar e mbrëmjes së play-offit të Nba u zhvillua në Air Canada Center aty ku Toronto Raptors kaloi me rezultatin e ngushtë 102-99, Indiana Pacers.
Edhe pse formacioni i drejtuar nga trajneri Frank Vogel zhvilloi një periodë të parë fantastike teksa kryesonin me 15 pikë avantazh në përfundim të saj, ishin kanadezët ata që triumfuan në fund me Toronton që realizoi një përmbysje të madhe për të cuar në 3-2 serinë e cerekfinaleve ndaj Indianës. Të besuarit e trajnerit Dwayne Casey do të kenë një match point për të avancuar më tej në sfidën e 6-t që do të zhvillohet në Indianapolis. Raptors arritën të kthenin rezultatin në favor të tyre për meritë edhe të DeMar DeRozan që shënoi në total 34 pikë. I mrekullueshëm në krahun tjetër Paul George, por paraqitja e tij fantastike nuk i mjaftoi Indianës për të evituar këtë disfatë. Ylli i Pacers e mbylli ndeshjen me 39 pikë 8 asiste dhe 8 rebound.