Një sezon magjik për Golden State që kurorëzoi skuadrën kaliforniane me titullin e dytë në historinë e saj.
Tashmë që pikat mbi “i” u vendosën dhe të gjithë janë përulur përpara fuqisë më të re të NBA, ka nisur puna për një tjetër sezon.
Ndryshe nga tregu europian, në basketbollin amerikan, lojtarët preferojnë të qëndrojnë pa kontrata për ta bërë vetë zgjedhjen e tyre në të ardhmen dhe këtu nuk bëhet fjalë për lojtarët normalë, por për yje që mund të japin ende shumë në lojën e koshit amerikan.
Ata janë të lirë të pranojnë ofertat që dëshirojnë dhe në këtë aspekt, merkatoja e sezonit të ri pritet të jetë interesante, transmeton supersport.al.
Nënkampionët e Cleveland Cavaliers janë në një udhëkryq të madh sepse LeBron James ka një kontratë të hapur nga e cila përfiton 21 milionë dollarë, por nëse skuadra nuk ia rinovon kontratën për sezonin e ri ai mund të kërkojë një skuadër tjetër.
E njëjta histori edhe për Kevin Love që përfiton 16.7 milionë, por mes tij dhe ekipit nga Ohio nuk ka ende një kontratë të re.
Spanjolli Marc Gasol do të largohet nga Memphis ku përfitonte rreth 16 milionë dhe numri i skuadrave që e kërkojnë është shumë i lartë, ndërsa Brooklyn humbet qendrën Brook Lopez i cili paguhej 16.8 milionë.
Telashe në horizont edhe për Portland që rrezikon të humbasë LaMarcus Aldridge, i cili paguhet 15 milionë, ndërsa Tyson Chandler është një lojtar i lirë, por skuadra që do ta marrë duhet t’i ofrojë jo më pak se 14.6 milionë.
Dy pesha të tjera të rënda që mund t’i bëjnë punë kujtdo skuadre janë edhe DeAndre Jordan i Los Angeles Clippers me 11 milionë në sezon.
Kurse Rajon Rondo po kërkon një tjetër destinacion pas sezonit katastrofik të Dallas Mavericks.
Por tregu i lirë nuk përfundon me kaq sepse disa emra të tjerë pa kontratë janë edhe Andrea Bargnani, Luol Deng që dëshiron të vazhdojë me Miamin edhe pse nuk ka ende një kontratë, Monta Ellis por edhe Roy Hibbert i cili synon të arkëtojë mbi 15.5 milionë dollarë./Supersport.al
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.