Cleveland Cavaliers shkatërroi 123 – 98 Atlanta Hawks në përballjen e dytë të gjymsëfinaleve në Konferencën e Lindjes, duke e çuar në 2-0 avantazhin e serisë.
Të udhëhequr nga LeBron James, që realizoi në total 27 pikë, Cavaliers ishin të papërmbajtshëm me gjuajtjet për tre, duke qenë të saktë me 25 tentativa, një rekord absolut në ndeshjet play – off, që mbahej nga Golden State me 21 goditje të sakta nga distanca në përplasjen ndaj Houston në këtë sezon.
Mbreti James, që kaloi Tim Duncan si pikëshënuesi i pestë më mirë në takimet pas sezonit të rregullt jetoi një mbrëmje magjike, ku spikati gjithashtu J.R Smith me 7 gjuajtje të sakta nga harku i shtatë metrave.
Për Hawks Milsap mundi të realizonte vetëm 16 pikë, por që ishin shumë pak për të përballur furinë e Cavaliers, shkruan Supersport.
Atlanta e nisi mirë takim, duke marrë një avatazh fillestar 2-7, por situata u përmbys shumë shpejt, me periodën e parë që u mbyll 35 – 20. Cavaliers në periodën e dytë ishin thjesht fantastikë duke e thelluar në 36 pikë diferencën në fund të pjesës së parë.
Në periodën e tretë falë një rezulati të pjesshëm 2-10 në favor të Hawks, por që nuk vlejti aspak, Cleveland u rikthye furishëm me Irving që e coi +40 pikë diferencën.
Pikët e rikuperuara nga Atlanta në periodën e katërt patën vetëm vlerë statistikore pasi Cavaliers fituan 123 – 98, me 10 basketbollistë të kesaj skuadra që realizuan të paktën një trepikësh.
Dy përplasjet e radhës së Serisë së gjysmëfinaleve të konferencës së Lindjes do të zhvilloen në parketin e Philips Arenas në Atlanta.
●●●
KSHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.