Lajmet e fundit

''Nëse presidenti Millosheviq nuk është i gatshëm për paqe, ne jemi të gatshëm t’ia kufizojmë aftësinë e tij për të luftuar kundër kosovarëve''.Po e shënojmë këtë 25 vjetor të fillimit të operacionit të NATO-s me solemnitet. Përkujtojmë qindra mijëra të pafajshëm që u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe mijëra që u vranë apo u zhdukën. Na vjen shumë keq për humbjen e jetëve të pafajshme të civilëve, përfshirë edhe ata që vdiqën gjatë fushatës së NATO-s. Pasi i shteroi të gjitha alternativat për të ndaluar gjakderdhjen, NATO kishte një imperativ moral për të vepruar – dhe ne vepruam. Përdorimi i dhunës në këtë rast ishte i nevojshëm dhe legjitim, marrë parasysh krizën humanitare që bota po e shihte duke u shpalosur në kohë reale. Atëkohë, presidenti Clinton shpjegoi edhe:
''Po veprojmë për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake në rritje. Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë… po veprojmë për të qëndruar të bashkuar me aleatët tanë për paqe''.Shtetet e Bashkuara mbështetën fushatën 78-ditore të NATO-s për të dëbuar forcat e Millosheviqit nga Kosova dhe për t’i dhënë fund spastrimit etnik, duke kontribuar në mijëra fluturime ndërsa vazhduam të shtonim presionin diplomatik. Operacioni ''Forca Aleate'' hapi rrugën për përfundimin e armiqësive dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve të të gjitha etnive që e quajnë Kosovën në shtëpi. Të gjitha përpjekjet tona ishin në mbështetje të vizionit tonë të përbashkët afatgjatë për një Evropë ''të plotë, të lirë dhe në paqe''. Njëzet e pesë vjet më parë, NATO veproi për të avancuar atë vizion për Evropën dhe ende vazhdojmë të punojmë për ta arritur atë. Dua të konfirmoj përsëri përkushtimin tonë për të siguruar që ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten më kurrë. Mbesim të përkushtuar për të mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues që luan Forca e NATO-s në Kosovë. Ne e pranojmë dhe shprehim vlerësimin tonë për përkushtimin dhe sakrificat e KFOR-it këtu gjatë 25 viteve të fundit. Dhe ndërsa përkujtojmë trimërinë e atyre që qëndruan kundër spastrimit etnik dhe atyre që vazhdojnë të ruajnë paqen sot, ne përsërisim vizionin e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe. Ne e shohim stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si çelësin për avancimin e këtij premtimi, veçanërisht pas pushtimit të pamëshirshëm në shkallë të plotë të Putinit në Ukrainë, ku po shohim shkatërrime dhe katastrofë të paimagjinueshme humanitare. Për Kosovën, urgjenca e integrimit evropian dhe euroatlantik është e qartë; është mjeti për të garantuar sigurinë, prosperitetin dhe liritë demokratike që dëshironi për fëmijët tuaj. Është gjithashtu thelbësore për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Në këtë kontekst, më duhet të përsëris atë që unë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kemi thënë vazhdimisht: Rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe konkretisht përmes zbatimit të plotë në mirëbesim të të gjitha zotimeve që Kosova i ka marrë në kuadër të dialogut. Ne presim që kjo Qeveri e Kosovës, ashtu siç kemi pritur nga qeveritë e mëparshme të Kosovës, të punojë në partneritet me ne ndërsa vazhdojmë në përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, të begatshëm, shumetnik dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor. Gati njëzet e pesë vjet që nga Operacioni ''Forca Aleate'' dhe çlirimi i Kosovës, populli i Shteteve të Bashkuara ka qenë krenar që qëndron krah për krah me popullin e Kosovës, ndërsa ju keni ndërtuar – nga themeli – një demokraci sovrane, të pavarur, shumetnike. Ne jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë me ju për të siguruar që çdo individ në Kosovë të mund të jetojë me kushte dinjiteti, lirie dhe sigurie, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo rrethanat. Pra, teksa shënojmë ngjarjet e 25 viteve më parë dhe reflektojmë për të kaluarën e vështirë të Kosovës, shpresoj se mund të shikojmë edhe përpara drejt së ardhmes – një të ardhme me mundësi të pasura për Kosovën dhe për rajonin. Shpresoj se mund të përkushtohemi sërish për të punuar drejt një të ardhmeje në të cilën Kosova do të realizojë premtimet dhe vizionin e Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës për një shoqëri sovrane, demokratike, shumetnike. Jam i bindur se mund ta avancojmë së bashku këtë vizion dhe të mundësojmë siguri dhe dinjitet për popullin e Kosovës dhe për rajonin më të gjerë.
Fjalim i ambasadorit Hovenier gjatë konferencës së Universitetit të Arkanzasit me rastin e 25 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë Biblioteka Kombëtare e Kosovës, 27 mars 2024