Lajmet e fundit

Ne kemi ndërmend të qëndrojmë këtu deri në 15 e pastaj vimë në Tiranë, ku duhet të bëj ca përgatitje. Deri më datën 20 të ikim me doemos. Si thua, Musine? Hasua më mori trikon, të faleminderit për leshin. Do të vi në Tiranë dhe besoj të kalojmë disa ditë të mira aty, apo jo? Do të gjejmë rast të shëtisim, të bisedojmë, të grindemi dhe të qeshim. Dëgjon? Të qeshim. Sa shumë ke për të qeshur ti Musine. Po Glikon aty e kam? Sa mirë do të jetë që të ndodhemi të trea, të shëtisim gjatë dhe të qeshim së bashku. Po aq më mirë sikur të udhëtonim të treja. Unë besoj që Kason do ta marr me vete. S’ka njeri më të përshtatshëm. Kështu do të jemi të lirë, do të bëjmë llogo gjithë rrugës. Fejzia a erdhi? Besoj të jesh mirë. Ç’bëre me librarinë? Nuk e di si i kaluat festat andej, ne u kënaqëm sidomos me ditën e paradës. Kohën e kemi të mirë. Pas disa ditëve të këqia filluam përsëri nga banjat. Po aty si veni? Ka vapë akoma?
Nga Franca kam marrë letra rregullisht si edhe dy tre fotografi. Është mirë dhe jeton i kënaqur, sepse është i lirë. I dërgoj nganjëherë gazetat shqipe se i ka kërkuar. Dje i dërgova numra festivali të gazetave që më dërgoi Kola. Duket se e merr malli ndonjëherë për Shqipërinë e dashur.
E po kur ndodhet larg njeriu e ndjen mallin e vendit. Musine, sa anekdota të bukura do të të them. Anesë i puth dorën. Fejzies të fala, ashtu edhe Gliqerisë, e kujtdo tjetër. Nga të gjithë shumë të fala.
Pres ndonjë letër.
Të përqafoj
Selfixhe
Selfixhe Ciu
Tepër të drojtura, gati si ditare, si rrëfime të vetvetes ishin shkrimet tona të para. Musinea sapo e kish marrë maturën e atë verë, verën e vitit 1937 e kaluam së bashku në shtëpinë time në plazhin e Durrësit. Unë kisha filluar të botoj më parë, krejt rastësisht e nxitur nga kushëriri im Shemsi Totozani, që i lexoi shkrimet dhe më ndihmoi t’i botoj në shtypin e kohës, në revista e gazeta me pseudonimin Kolombja.
Musineja ende lëkundej, jo se s’kish guxim të botonte, apo pengohej nga njeri, jo aspak. Në familjen e saj ishin të gjithë të kulturuar dhe askush nuk e pengonte, po ishte ajo vetë që kërkonte nga vetja. Ajo ishte shumë kërkuese ndaj vetes.
Në ditarin e saj janë këto shkrime: “Shoku im”, “Ti”, etj. që janë shkruar në ditët kur Musinea mbushi njëzet vjeç. Shkrimi “Shoku im” është për një djalosh izraelit me emrin Pattak, mbiemri s’më kujtohet.
Ishte një miqësi e çiltër, dashuri platonike brenda zemrës së secilit, po që nuk e pohoi askush, asnjëherë. Pattaku ishte një djalë me një konstrukt atleti, me ballë të gjerë dhe shumë inteligjent. Nuk e di ç’u bë më vonë. Nuk dëgjova më kurrë të flitej për të, pasi mori maturën. Ishte koha kur ne lexonim shumë. Diskutonim me zjarr dhe kishim që të gjithë dashuri të ethshme që Shqipëria jonë e vogël dhe e varfër të përparonte.
Ajo verë e vitit 1937 ka qenë stina jonë e ëndrrave dhe e fillimit të krijimtarisë së botuar të Musinesë me pseudonimin “MUZA”. Pasi mori maturën Musinea erdhi tek ne në Durrës. Ecnim me orë të tëra në bregdet. Shkonim në këmbë deri tek Ura e Dajlanit.
Pastaj ktheheshim në dhomat tona e secila bënte gati shkrimin për në gazetën “Shtypi”. I dërgonim në adresën e Kolë Berishës dhe mbajtëm që nga gushti deri në fillim të janarit 1938 me Petro Markon (DEMO KOTI) rubrikën “Rrymëzime”.
Ajo ishte stina jonë e paharruar. Dhe ëndrra më e madhe për ne qe, sigurisht, universiteti, ku priste të regjistrohej Musineja.