Pritjet përpara repartit të intensivës janë bërë pjesë e jetës së tij tash e tri vjet.
Sa herë këto dyer hapen e ai hyn brenda, Genc Abileka sheh gruan me të cilën bashkëjetoi për 14-vjet, të shtrirë, të palëvizshme dhe të pavetëdijshme.
Në vitin 2022, Myzafere Rizvanolli kishte pasur disa probleme urinare dhe kishte vendosur që të hyjë në operacion në një spital privat.
Një komplikim do shfaqej ende pa hyrë në operacion.
Sipas 55-vjeçarit, pas komplikimit mjekët e spitalit privat "e furfulluan" Myzaferen në spitalin publik "Isa Grezda" në Gjakovë dhe tutje nuk morën asnjë përgjegjësi.
Pas këtij komplikimi, atëkohë 75-vjeçarja nuk e pa më dritën me sy.
Sipas Genc Abilekës, partneri i cili bashkëjetoi me të 14 vjet dhe sot i qëndron afër, mjekët e spitalit privat, MIM bën një gabim i cili Myzaferën e la në këtë gjendje.
Duke parë partneren e tij teksa dergjej në shtratin e spitalit, Genci inicioi padi kundër spitalit MIM dhe mjekëve të operacionit.
Sipas Abilekës, mjekët po insistonin që krejt çka kishte ndodhë, ishte një alergji e Myzaferes në një nga barërat që i bënë duke shtuar se gjendja e mushkërive të saj ishte e keqe dhe nuk mund ta përballonte.
Mirëpo Abileka, në intervistën e tij për Kiks Kosova, rrëfeu se ishte i sigurtë që një teori e tillë nuk qëndron.
Procesi gjyqësor vazhdoi e edhe erdhi drejt fundit.
Pavarësisht provave që Abileka thotë që patën për ta vërtetuar të kundërtën e asaj që spitali privat, MIM po thoshte, rasti u mbyll duke i shpallur ata të pafajshëm.
KIKS Kosova qe edhe brenda spitalit MIM për të marrë një përgjigje nga mjeku që kishte qenë i përfshirë.
Së pari nga recepsioni u tha që duhej të prisnin rreth dy orë, derisa urologu të lirohej.
Teksa ekipi po priste në Gjakovë që urologu të lirohej, recepsioni telefonon gazetaren dhe i thotë se është e pamundur që mjeku të lirohet dhe nuk mund të takoheni.
https://www.youtube.com/watch?v=d448WAwhKJw
●●●
FHSHKRIMI NGA
Florentina Hoti
Editorial nga Klan Kosova — ndjek video lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.