“Qytetar nderi i Durrësit” (pas vdekjes). Ky ishte vlerësimi i qytetit bregdetar për mjeshtrin e skenës Mirush Kabashi, në ditën e tij të lindjes.
Një vlerësim i vonuar për Kabashin, i cili gjatë jetës së tij është nderuar me shumë tituj, shkruan euronews.al, transmeton Klankosova.tv.
Kështu u shpreh edhe vajza e të ndjerit, Mendi Kabashi.
“Është, është i vonuar, pse të gënjej? Do kisha dashur shumë që ta kishte marrë kur ishte gjallë”, thotë e bija e Mirush Kabashit.
“Për mua Mirushi ka qenë Qytetar Nderi i Durrësit. Përderisa është “Nder i Kombit”, “Qytetar Nderi” është shumë pak në krahasim me atë. E them për të gjithë ata që i kanë në dorë këto gjëra, që gjërat të jepen në kohë. T’i gëzojnë ata që i meritojnë. Kënaqësinë e këtij titulli ta merrte Mirushi, jo të mbetet si një relikë në shtëpi”, shprehet aktorja, Aishe Stari.
E bija e aktorit të ndjerë, mes emocionesh veçoi lidhjen e tij me Durrësin.
“Durrësi e ka dashur gjithmonë babi dhe e pati apo se pati, është vlerësuar. Me titull apo pa titull ai e ndjente veten në shtëpi këtu dhe ka qenë meritë e publikut, e njerëzve të thjeshtë”, thotë vajza e aktorit të ndjerë.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në teatrin “Aleksandër Moisiu”, aty ku Mirushi hodhi hapat e parë dhe nisi karrierën e gjatë artistike, familjarët, miqtë dhe kolegët patën mundësi të ndjekin të plotë intervistën e fundit, që Kabashi dha pak para ndarjes nga jeta.
Në një rrëfim shumëplanësh për jetën dhe karrierën, Kabashi rrëfeu shumëçka nga kujtimet e tij, që lidhen me teatrin dhe kinematografinë shqiptare.
Mirush Kabashi u nda nga jeta më 5 dhjetor të vitit që lamë pas në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë, me një kontribut të çmuar, ku numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.