I mbushur me plot energji për të shkatërruar të gjithë kundërshtarët që i dilnin përballë në ring, Mike Tyson do të mbahet mend si një nga boksierët më të egër në histori të këtij sporti.
Luftëtari i “hekurt” deklaronte se nëse nuk do të ishte boksier, do të gjendej i vrarë ose në burg.
Jeta e tij ishte me sfida që nga fëmijëria, shkruan Klankosova.tv.
Michael Gerard Tyson, lindi më 30 qershor 1966 në Brooklyn, New York nga prindërit Jimmy Kirkpatrick dhe Lorna Tyson.
Kur Mike ishte 2 vjeç, babai i tij e braktisi familjen, duke e lënë gruan e tij të kujdesej për të dhe dy vëllezërit e motrat e tij, Rodney dhe Denise.
Pasi kryefamiljari braktisi gruan dhe fëmijët, familja Tyson duke luftuar me vështirësitë financiare, u zhvendos në Brownsville, në një lagje të Brooklinyt, e njohur për një nivel të lartë të krimit, raporton “biography.com”.
Një nga legjendat e boksit, në atë kohë ishte i vogël dhe i turpshëm gjë që bëri të ishte shpesh objekt i ngacmimit.
Për t’u përballur me këtë sfidë, ai nisi të zhvillonte stilin e tij të luftimeve në rrugë, i cili përfundimisht kaloi në aktivitet kriminal.
Tysoni ishte veç 11-vjeçar, kur si pjesëmarrës i bandës “Jolly Stompers”, i merrte paratë nga kasafortat e viktimave gjatë grabitjes, ndërkohë që anëtarët më të vjetër të grupit i mbanin ata nën kërcënimin e armëve.
Afro-amerikani shpesh haste në telashe me policinë për aktivitetet e tij të vogla kriminale, dhe deri në moshën 13-vjeçare ai ishte arrestuar më shumë se 30 herë.
Sjellja e tij jo e mirë, bëri që ai të dërgohej në shkollën “Tryon” për djemtë në veri të New Yorkut, me qëllim të riedukimit.
Tysoni atje u takua me këshilltarin Bob Stewart, i cili kishte qenë një kampion i boksit amator, ku edhe i kërkoi atij që ta mësonte se si të grushtonte mirë.
Stewart pranoi, me kushtin që Tysoni të qëndronte larg problemeve dhe të ishte më i mirë në shkollë.
I klasifikuar më parë si me aftësi të kufizuara në të mësuar, Tysoni arriti të rrisë aftësitë e tij të leximit në nivelin e klasës së shtatë brenda disa muajsh. Ai gjithashtu u bë i vendosur të mësonte gjithçka që mundej për boksin.
Në vitin 1980, Bob Stewart ndjeu se i kishte mësuar Tysonit gjithçka që dinte.
Ai e prezantoi boksierin aspirues me menaxherin legjendar të boksit Constantine "Cus" D'Amato, i cili kishte një palestër në Catskill, New York.
D'Amato ishte i njohur për interesimin personal për luftëtarët premtues, madje duke u siguruar atyre strehim dhe ushqim në shtëpinë që ndante me partneren Camille Ewald.
Ai kishte trajnuar disa boksierë të suksesshëm, duke përfshirë Floyd Patterson dhe Jose Torres, dhe ai e njohu menjëherë potencialin e Tysonit, ku edhe i tha se “Nëse do të qëndrosh këtu, dhe nëse do të dëgjosh, mund të bëhesh kampion i botës në peshat e rënda një ditë”.
Marrëdhënia midis D'Amato dhe Tysonit ishte më shumë se ajo e një trajneri profesionist dhe një boksieri – ishte e ngjashme me babë e bir.
D'Amato mori Tysonin nën krahun e tij dhe kur 14-vjeçari u lirua me kusht nga Tryon në shtator 1980, ai hyri në kujdestarinë e plotë të D'Amato.
Ky i fundit vendosi një program rigoroz të stërvitjes për atletin e ri, duke e dërguar atë në shkollën e mesme Catskill gjatë ditës dhe duke u stërvitur në ring çdo mbrëmje.
Jeta e Tysonit dukej sikur po shikonte lart, por në vitin 1982, ai pësoi disa humbje personale. Atë vit, nëna e Tysonit vdiq nga kanceri.
“Unë kurrë nuk e pashë nënën time të lumtur me mua dhe krenare për mua që bëra diçka”, u tha ai më vonë gazetarëve, shkruan Klankosova.tv.
“Ajo më njihte vetëm si një fëmijë të egër që vraponte rrugëve, kthehej në shtëpi me rroba të reja për të cilat ajo e dinte se nuk i paguaja. Unë kurrë nuk pata mundësinë të flas me të ose të di për të”.
Në të njëjtën kohë, Tysoni u përjashtua nga Catskill High për sjelljen e tij të çrregullt, shpesh të dhunshme. Ai vazhdoi shkollimin e tij përmes mësuesve privatë ndërsa ai u trajnua për provat Olimpike të 1984-ës.
Shfaqja e Tysonit në prova nuk qe e suksesshme. Ai humbi nga Henry Tillman, fituesi i medaljes së artë, dhe nuk arriti të hynte në ekipin olimpik. Pas kësaj, D'Amato vendosi se ishte koha që luftëtari i tij të bëhej profesionist.
Karriera profesionale në boks
Më 6 mars 1985, Tysoni bëri debutimin e tij në boksin profesionist në Albany, New York, kundër Hector Mercedes. 18-vjeçari e rrëzoi kundërshtarin në raundin e parë.
Forca e Tysonit, grushtet e shpejta dhe aftësitë e dukshme mbrojtëse i frikësuan kundërshtarët e tij, të cilët shpesh kishin frikë të godisnin luftëtarin.
Kjo i dha Tysonit aftësinë e çuditshme për të mposhtur kundërshtarët e tij në vetëm një raund, dhe i dha atij pseudonimin “Iron Mike” (Mike i Hekurt).
Ky vit ishte i suksesshëm për Tysonin, por nuk ishte pa tragjedi: Më 4 nëntor 1985, trajneri dhe babai i tij i dytë, Cus D'Amato, vdiq nga pneumonia.
Kevin Rooney mori detyrën e D'Amatos dhe, më pak se dy javë më vonë, Tysoni vazhdoi ngjitjen e tij në renditjen e peshave të rënda.
Ai regjistroi nokautin e tij të trembëdhjetë në Houston dhe ia kushtoi luftën njeriut që e kishte formuar atë në një profesionist.
Personat e afërt me Tysonin thënë se ai kurrë nuk u shërua plotësisht nga vdekja e D'Amatos.
Në vitin 1986, boksieri i “hekurt” kishte arritur një rekord 22-0, duke fituar 21 nga luftimet me nokaut.
22 nëntori i vitit 1986, ishte një ditë veçanërisht e favorshme. Tysoni u përball me Trevor Berbick në luftën e tij të parë për titull për kampionatin e peshave të rënda të Këshillit Botëror të Boksit.
Luftëtari i egër fitoi titullin me nokaut në raundin e dytë. Në moshën 20 vjeç e 4 muaj, ai theu rekordin e Floyd Patterson për t'u bërë kampioni më i ri i peshave të rënda në histori.
Suksesi i Tysonit në ring nuk u ndal me kaq. Ai mbrojti titullin e tij kundër James Smith më 7 mars 1987, duke shtuar kampionatin e Shoqatës Botërore të Boksit në listën e tij të fitoreve.
Më 1 gusht, ai u bë i pari në peshën e rëndë që zotëronte të tre rripat kryesorë të boksit kur mori titullin e Federatës Ndërkombëtare të Boksit nga Tony Tucker.
Por loja e Tysonit dukej se ishte në rënie. Dikur i njohur për lëvizjet e tij të komplikuara sulmuese dhe mbrojtëse, boksieri dukej se mbështetej vazhdimisht në lëvizjen e tij nokaut me një goditje për të përfunduar ndeshjet e tij.
Ai fajësoi trajnerin e tij për vështirësitë e tij në ring dhe shkarkoi Rooneyn në mesin e vitit 1988, shkruan Klankosova.tv.
Tysoni mbrojti titullin e tij dy herë të tjera përpara se seria e tij e fitoreve të përfundonte më 11 shkurt 1990, kur humbi rripin e tij të kampionit ndaj Buster Douglas në Tokio.
I “hekurti” dërgoi Douglasin në tapet në raundin e tetë, por ky i fundit u rikthye në të 10-ën, duke e mundur Tysonin për herë të parë në karrierën e tij.
I dekurajuar, por jo i gatshëm të dorëzohej, Tysoni u rikuperua duke nokautuar medalistin e artë olimpik Henry Tillman, i cili kishte qenë kundërshtari i tij i mëparshëm në boksin amator, më vonë atë vit.
Tysoni përballet me Evander Holyfield, i kafshon veshin për "hakmarrje"
Pas disa ndeshjeve të suksesshme, Tysoni u përball me sfiduesin e tij të ardhshëm të madh: Evander Holyfield.
Ky i fundit kishte pasur premtimin për një mundësi për titull kundër Tysonit në vitin 1990, para se Douglas ta mundte boksierin e “hekurt”.
Në vend të kësaj, Holyfield luftoi me Douglasin për titullin e kampionit të peshave të rënda më 25 tetor 1990 dhe e mundi kundërshtarin me nokaut për t'u bërë kampion i ri i padiskutueshëm dhe i pamposhtur i peshave të rënda.
Më 9 nëntor 1996, Tysoni u përball me Holyfieldin për titullin e peshave të rënda.
Mbrëmja nuk përfundoi me sukses për Tysonin, i cili humbi nga Holyfield me nokaut në raundin e 11-të.
Në vend të fitores së pritur të luftëtarit të “hekurt”, Holyfield bëri histori duke u bërë personi i dytë që fitoi një brez kampioni të peshave të rënda tri herë.
Tysoni tha se ishte viktimë e disa goditjeve të paligjshme me kokë nga kundërshtari dhe premtoi të hakmerrej për humbjen e tij.
Ai u stërvit shumë për një revansh me Holyfieldin, dhe më 28 qershor 1997, të dy boksierët u përballën përsëri.
Ndeshja u transmetua në televizion me pagesë për shikim dhe ku u ndoq nga 2 milionë familje, duke vendosur një rekord në atë kohë për numrin më të lartë të shikuesve televizivë me pagesë.
Të dy boksierët gjithashtu morën pagesat më të mëdha për ndeshjen, duke u bërë boksierët më të paguar profesionistë në histori deri në vitin 2007, shkruan Klankosova.tv.
Raundi i parë dhe i dytë ofruan veprim të zakonshëm që pritej nga dy kampionët.
Por ndeshja mori një kthesë të papritur në raundin e tretë. Tyson i shokoi fansat dhe zyrtarët e boksit kur kundërshtarit ia kafshoi veshin.
Tysoni tha se veprimi ishte hakmarrje për goditjet e paligjshme me kokë që Holyfield kishte bërë në ndeshjen e mëparshme. Megjithatë, gjyqtarët nuk e pranuan arsyetimin e Tysonit dhe e përjashtuan atë nga ndeshja.
Më 9 korrik 1997, Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadës ia hoqi licencën Tysonit për boks me një votë unanime dhe e gjobiti me 3 milionë dollarë për kafshimin e Holyfieldit.
Luftimet përfundimtare dhe dalja në pension
Në tetor 1998, Tysoni mori përsëri licencën për boks në Nevada dhe u rikthye në ring vitin tjetër. Ai fitoi katër ndeshje dhe pati dy ndeshje pa rezultat, para se të përpiqej të fitonte sërish titullin e kampionit të peshave të rënda në vitin 2002. Për ta bërë këtë, ai duhej të mundte Lennox Lewis, kampionin e WBC, IBF dhe IBO.
Organizimi i ndeshjes ishte shumë i tensionuar. Dy vjet më parë, pas fitores ndaj Lou Savarese, Tysoni e sfidoi Lewisin dhe kërcënoi se do të “ha fëmijët e tij”.
Gjatë një konference shtypi në janar 2002, ata u përfshinë në një sherr që rrezikoi të anulohej ndeshja, por ajo u programua për në qershor të atij viti. Tysoni e humbi ndeshjen me nokaut, dhe kjo shënoi rënien e karrierës së tij.
Tysoni zhvilloi vetëm tre ndeshje të tjera. Pasi humbi me nokaut ndaj Danny Williams në korrik 2004, ai u përball me Kevin McBride një vit më vonë.
Boksieri nga Irlanda ishte konsideruar shumë i nënvlerësuar dhe do të paguhej vetëm 150,000 dollarë për ndeshjen.
McBride e mposhti Tysonin me nokaut në raundin e gjashtë.
Pas kësaj humbjeje, boksieri i “hekurt” shpalli pensionimin. “Më duket sikur jam 120 vjeç”, u shpreh ai.
Sipas “Forbes”, Tysoni ka pasur 58 ndeshje profesionale. Rekordi i tij është 50 fitore, 6 humbje dhe 2 ndeshje pa rezultat. Ai fitoi 44 herë me nokaut. I “hekurti” fitoi 37 ndeshje radhazi para humbjes së tij të parë ndaj Buster Douglas në shkurt 1990, shkruan Klankosova.tv.
Veterani i boksit, rikthehet për t'u përballur me një të ri ambicioz
Pas shume vitesh larg ringut profesional, Tysoni rikthehet të premten (15 nëntor), për t’u përballur me Jake Paul.
Ndeshja mes veteranit të boksit, dhe të riut ambicioz i cili nga Youtuber u kthye në boksier, do të transmetohet në Netflix, ndërsa nuk dihet saktë se kur do të fillojë pasi para tyre nga ora 20:00 (sipas kohës lokale të Teksasit), do t'i masin forcat disa kundërshtarë të tjerë.
Kjo përballje pritet të tërheqë një audiencë globale prej rreth 300 milionë shikuesish. Meçi do të zhvillohet në stadiumin AT&T, në Texas, me kapacitet prej 80 mijë ulëseve.
Ndeshja është planifikuar për tetë raunde dy minutëshe. /Klankosova.tv
●●●
EISHKRIMI NGA
Ermir Istrefi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.