Lionel Messi ende nuk ka njoftuar se kur planifikon të tërhiqet, por ai e di që ndeshja e javës së ardhshme kundër Venezuelës mund të jetë e fundit e tij në shtëpi në një kualifikuese të Kupës së Botës me kombëtaren e Argjentinës.
“Do të jetë një ndeshje shumë, shumë speciale për mua sepse është ndeshja e fundit kualifikuese”, tha 38-vjeçari Messi të mërkurën në mbrëmje, pasi Inter Miami u kualifikua në finalen e Leagues Cup duke mposhtur Orlando City, transmeton Klankosova.tv.
Messi ka lënë të kuptohet se do të tërhiqet nga kombëtarja pas Kupës së Botës së vitit të ardhshëm, ku Argjentina do të mbrojë titullin e fituar në Katar 2022.
Kualifikueset për Kupën e Botës 2030 do të fillojnë në vitin 2027, kur ylli argjentinas do të jetë 40 vjeç.
“Unë nuk e di nëse do të ketë miqësore apo ndeshje të tjera pas (Venezuelës), por është një ndeshje shumë e veçantë, ndaj familja ime do të jetë aty me mua: gruaja, fëmijët, prindërit, vëllezërit e motrat e mia. Nuk e di çfarë do të ndodhë më pas”, tha Messi.
Ndërkohë, Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) po përpiqet të përfitojë nga ndeshja e fundit në shtëpi e Messit duke rritur çmimet e biletave, ku më e lira kushton rreth 100 dollarë dhe më e shtrenjta rreth 500 dollarë. /Klankosova.tv
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.