Lajmet e fundit

Befasia e parë në këtë kampionat ndodhi nga Argjentina, e cila u trondit nga Arabia Saudite. U mendua që argjentinasit do të largoheshin për në shtëpi shumë më herët sesa që e kishin paramenduar, por kjo s’ndodhi, kështu.
Argjentina e drejtuar nga kapiteni Lionel Messi, shkoi deri në finale, por që kjo rrugë edhe nuk ishte bash e lehtë, pasi u përballën në shumë momente me rrezik - edhe të eliminimit. Vlen të përmendet ballafaqimi me Holandën, kur tulipanët me një skemë fantastike të përgatitur arritën ta barazonin rezultatin, për ta dërguar ndeshjen në vazhdime dhe penallti, aty ku argjentinasit u treguan më të saktë.
Befasi në këtë Botëror, ishte dhe kombëtarja e Marokut, pasi eliminuan shtete të forta si Portugalinë e Cristiano Ronaldos, Spanjën e Belgjikën.
Por, kombëtarja që shtangu tifozët ishte Kroacia që eliminoi favoritin kryesor Brazilin, që pavarësisht yjeve që kishte në skuadër, u desh që të ecë qysh në çerekfinale. Kroacia njëjtë siç bëri befasi në Botërorin e kaluar, edhe në këtë e bëri të njëjtën gjë.
Kroatët pavarësisht që nuk shkuan në finale - për vendin e tretë e mposhtën Marokun, duke e siguruar medaljen e bronztë – kjo ishte medalja e tretë e kroatëve në gjashtë Botërore, që nga pavarësimi nga Jugosllavia e atëhershme.
Në finale dy yjet e këtij kampionati, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe u përballën me njërin-tjetrin, ky i fundit e kërkonte këtë trofe për herë të dytë rresht.
Nga shumë analistë dhe futbollëdashës kjo finale është konsideruar si ndër më të mirat në histori të futbollit.
Në fund, Argjentina ishte që e mposhti Francën, për ta fituar këtë titull për herë të tretë në histori. Këtij triumfi më së shumti iu gëzua Lionel Messi, pasi ishte trofeu i vetëm që i mungonte, dhe me këtë kompletoi gjithçka në karrierë.
Messi në fund edhe u shpall lojtari më i mirë i turneut, teksa Mbappe u shpall golashënuesi më i mirë me tetë gola të realizuar.
Top pesë ligat kryesore
Premier League
Manchester City që po e dominon vitet e fundit ligën më të fortë në botë - Premier League, e fitoi edhe gjatë sezonit të kaluar titullin e kampionit.
City sezonin 2021-22 e mbylli me 93 pikë të grumbulluara, me vetëm një pikë më shumë se Liverpooli, që përfundoi në vendin e dytë.
Ky sezon ishte ndër më të mirët dhe më të çmendurit, pasi kampioni nuk dihej deri në momentet e fundi të lojës së fundit.
Ndërkohë, këtë sezon Arsenali ka shkëlqyer me formë të lartë, duke e mbyllur vitin si lider - se a do të jetë deri në fund të sezonit, mbetet për t’u parë.
Serie A
Në Itali, beteja për vendin e parë në Serie A, ishte shumë e ashpër pasi për të luftonin dy skuadrat nga qyteti i modës, Milano.
Interi sezonin e shkuar ishte shpallur kampion duke e kaluar Milanin me tituj të ligës. Por, kjo nuk i zgjati shumë, pasi kuqezinjët i barazuan shpejt. Milani arriti ta fitojë titullin e kampionit pas plotë 10 vjetëve, që është një kohë goxha e gjatë, për një skuadër me nam që është në Itali. Me këtë titull të fituar dy skuadrat nga Milani, tani kanë nga 19 tituj të fituar, dhe janë një titull larg vendosjes së yllit të tretë në fanellë.
Këtë sezon dy ekipet nga Milano, nuk është që e kanë filluar edhe mirë sezonin, pasi për momentin lider në Serie A, është Napoli. Por, nuk duket se do të ketë dorëzim, pasi ky titull vlen shumë për dy skuadrat, se kush do të luftojë më shumë, kjo do të shihet nga java e ardhshme, kur edhe do të startojë Serie A, pas pushimit nga Kupa e Botës.
La Liga
Në Spanjë titullin e kampionit e siguroi Real Madridi, pas një sezoni fantastik të Vinicius Junior dhe Karim Benzemas.
Real Madridi këtë titull e fitoi për herë të 35-të në histori të klubit.
Bundesliga
Bayern Munichi si zakonisht vazhdon mbretërimin në Gjermani, kjo gjë njëjtë ndodhi edhe gjatë sezonit të kaluar.
Pavarësisht konkurrencës së lehtë nga Borussia Dortmundi dhe Lepizig, Bayerni e siguroi titullin.
Ligue 1
Në Francë, Paris Saint-Germani u shpall kampion, me lojtarë si Kylian Mbappe, Lionel Messi, e Neymar.
Messi në sezonin e parë në Paris, nuk ishte në formën që ishte, por pavarësisht kësaj në fund e siguroi trofeun e parë me parisienët.
Liga e Kampionëve
Liga e Kampionëve gjatë vitit 2022 dhuroi magji dhe befasi deri në frymën e fundit. Finalen e sezonit të 2021-22, e fitoi Real Madridi ndaj Liverpoolit.
Këtë ndeshje e vendosi talenti i Real Madridit, Vinicius, i cili doli që goli i tij të jetë i fitores.
Real Madridi këtë trofe e fitoi për herë të 14-të në histori të klubit.
Evropa League
Në garën e dytë më të rëndësishme të UEFA-s, Eintracht Frankfurti shkaktoi befasi duke arritur deri në finale, dhe aty ta mposhtë skuadrën nga Skocia Rangers.
Frankurti e fitoi këtë trofe për herë të parë në histori të klubit.
Topi i Artë
Çmimin prestigjioz të Topit të Artë, këtë vit e fitoi Karim Benzema pas sukseseve të larta me Real Madridin, duke e fituar titullin e La Ligas dhe Ligën e Kampionëve.
NBA
Golden State Warriors janë përsëri kampionë të NBA-së, duke e mposhtur Boston Celtics në gjashtë ndeshje me një fitore 103-90 në ndeshjen 6.
Steph Curry u emërua MVP i finaleve të NBA për herë të parë në karrierën e tij.
Formula 1
Max Verstappen është kurorëzuar kampion në Formula 1, duke e fituar këtë çmim për herë të dytë rresht.
Verstappen këtë çmim prestigjioz, që është më i rëndësishmi në makinat e shpejta, e mori më 10 dhjetor.
Holandezi në këtë garë debutoi si 17-vjeçar dhe synon ta vazhdojë mbretërimin edhe më tutje.
Tenis
Tenisti Rafael Nadal e fitoi çmimin e lojtarit të vitit, pasi fitoi dy kampionate këtë sezon, teksa ai gjithashtu theu rekordin për më shumë tituj të Grand Slamin nga një lojtar. Ai deri më tani ka fituar 22 Grand Slame.
Nadal fitoi tre turnetë e para të vitit, duke përfshirë një fitore të mahnitshme të rikthimit në finalen e Australian Open ndaj Daniil Medvedev dhe nuk regjistroi një humbje deri në finalen e Indian Wells në mars.
Gjysma e dytë e sezonit nuk ka qenë aq e suksesshme, një dëmtim e detyroi atë të tërhiqej nga Wimbledon përpara gjysmëfinales. Megjithatë, ishte një vit historik për Rafën.
Serena Williams dhe Roger Federer i dhanë lamtumirën fushës së tenisit
Serena Williams dhe Roger Federer gjatë këtij viti kanë njoftuar se janë pensionuar nga loja aktive. Federer e përfundoi karrierën e tij të jashtëzakonshme me 21 Grand Slame.
Derisa lojtari që doli në pah në tenis, ishte Carlos Alcaraz, i cili u bë edhe më i riu që e fiton US Open. /Klankosova.tv.