Pauza për ndeshjet e përfaqësueseve u ka shërbyer skuadrave të Superligës së Kosovës në basketboll për t’u konsoliduar dhe për t’u përgatitur maksimalisht për fazën e katërt dhe të fundit të stinorit të rregullt.
Deri në përfundim të kampionatit kanë mbetur edhe shtatë xhiro, para se gara të hyjë në fazën më vendimtare, playoffin. E hëna shënoi edhe afatin e fundit për regjistrimin e lojtarëve të huaj, ndërsa menjëherë pas kësaj, të mërkurën dhe të enjten zhvillohen ndeshjet e xhiros së 22-të.
Siç pritej, dita e fundit e merkatos solli lëvizje të shumta. KB Trepça vendosi t’i qëndrojë besnike grupit që dominoi në dy muajt e fundit dhe që siguroi trofeun e Kupës, duke mos bërë ndryshime. KB Bashkimi përforcoi repartin e jashtëm me fundorin amerikan Jalen Riley, ndërsa KB Bora prezantoi amerikanin Carlton Bragg, pasi më herët kishte zyrtarizuar edhe Jordan Dingle. Edhe KB GO+ Peja ishte aktive në merkato.
Së fundmi u zyrtarizua Daquan Bracey, ndërsa gjatë ditëve të fundit të shkurtit klubi pejan kishte angazhuar edhe De’Jon Davis dhe Cecil Williams. KB Golden Eagle Ylli prezantoi dy përforcime të rëndësishme: lojtarin me përvojë nga Lituania Donatas Sabeckis dhe amerikanin Breon Pass. Ndërkohë, KB Vëllaznimi nuk ka prezantuar ndonjë emër të ri në këtë fazë, derisa KB Sigal Prishtina më 24 shkurt kishte transferuar Dericko Williams.
Përforcim ka bërë edhe KB Rahoveci 029, që ka zyrtarizuar Richard Granberry. Edhe pse ndryshimet e minutës së fundit jo gjithmonë rezultojnë të qëlluara, skuadrat kosovare kanë bërë lëvizjet e fundit me shpresën se këto përforcime do të jenë vendimtare në garën për pozitë sa më të mirë para playoffit dhe mbi të gjitha, në luftën për titull, transmeton Klankosova.tv.
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.